Ushqimi renditet nga ekspertët e mjekësisë si një ndër armiqtë më të rrezikshëm që po kërcënon shëndetin e shqiptarëve. Fakt ky që gjatë viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese edhe në vendin tonë, pasi numri i pacientëve të prekur nga sëmundjet kronike dhe lloje të ndryshme kanceresh ka pësuar rritje të frikshme.
Duke vlerësuar efektet e kequshqyerjes, specialistët në departamentin e sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik bëjnë me dije se ky faktor po mbart rreziqe të mëdha sidomos tek të rinjtë, të cilët nëse nuk bëjnë kujdes në një të ardhme të afërt do të bien pre e komplikacioneve të shumta shëndetësore.
Drejtori i departamentit të sëmundjeve kronike në ISHP, Alban Ylli, tregon se ushqimet hiperkalorike, disbalanca mes elementeve ushqimore, si dhe mungesa e vitaminave kanë bërë që rritja e sëmundjeve në vendin tonë të marrë përmasa alarmuese, duke ulur së tepërmi edhe treguesin moshë.
Kequshqyerja e kombinuar me mungesën e aktiviteteve fizike duke shtuar nivelin e sëmundshmërisë kanë çuar edhe në rritjen e vdekshmërisë së shkaktuar nga këto sëmundje. “Ushqimet janë një përbërës shumë i rëndësishëm për të ndikuar tek sëmundjet kronike. Më shumë kalori seç duhet janë një element për të ndikuar tek sëmundjet kronike. Më shumë kalori seç duhet janë problem për sëmundjet kronike pasi rrisin obezitetin.
Është fakt i provuar që për sëmundjet e zemrës e për lloje të ndryshme të sëmundjeve kancerogjene, qoftë obeziteti, qoftë mbipesha, rrisin riskun e përhapjes së tyre. Një element i dytë ka të bëjë me balancën makrobiotike mes ushqimeve që marrim. Sheqernat, yndyrat, proteinat, fibrat duhet të jenë në balanca të caktuara. Është e provuar se kanceri i kolonit shtohet nga disbalanca e fibrave me yndyrat e me proteinat”, vë në dukje Alban Ylli.
Një tjetër problematikë e konstatuar nga ky departament, është edhe ndotja e ushqimeve nëpërmjet kimikateve që u hidhen bimëve gjatë spërkatjes së bimëve apo dhe të arave, duke ndihmuar rritjen artificiale të produkteve që konsumojnë në jetën e përditshme. E disa nga këto sipas Yllit janë të njohura për shkencërisht për dëmin që shkaktojnë në organizëm.
“Ndotja e ushqimeve me agjentë të natyrës biologjike ose edhe kimike ka efekte të shumta negative. Disa agjentë me natyrë biologjike mund të shkaktojë kancer. Aflatoksinat shkaktojnë kancer të mushkërisë. Ne i marrim nëpërmjet ushqimeve kimikatet. Ato mund të jenë të ndotura gjatë transportit, por sidomos gjatë prodhimit të tyre”, shton Ylli.
Ndaj mjekët këshillojnë që të orientohemi drejt një ushqyerje të shëndetshme që konsiston në konsumin e një larmie të madhe ushqimesh përmbajtja e të cilave duhet të jetë e orientuar drejt perimeve, zarzavateve dhe frutave.
Kur duhet të shqetësoheni
Kequshqyerja është burim i mbipeshës dhe obezitetit, të cilat çojnë në risk të lartë për sëmundje kronike veçanërisht atyre kardiovaskulare, sëmundjeve kancerogjene e llojeve të tjera që ndikojnë në shtimin e nivelit të vdekshmërisë. Për të treguar rreziqet që mund të rrjedhin nga kequshqyerja mjekët mund të përdorin matjen e perimetrit të belit, si një matje të dhjamosjes në bark.
Burrat me perimetër më tepër se 102 cm dhe gratë me perimetër më tepër se 88 cm janë në rrezik të rritur për sëmundje kardiovaskulare, si dhe sëmundjeve të llojeve të tjera. Mbipesha apo obeziteti sjellin disa rreziqe siç janë sëmundjet e enëve koronare, hipertensionin hemorragji cerebrale, diabet tip 2, disa lloje kaceresh, çrregullime muskulore dhe skeletike.
Fakt
Studimet tregojnë se personat që konsumojnë ushqime të varfra me yndyra dhe të pasura me fruta zarzavate dhe produkte drithërash që përmbajnë fibra integrale, kanë përqindje më të ulët për sëmundshmëri dhe vdekshmëri nga sëmundjet koronare, tipe të ndryshme kanceresh dhe diabet tip 2.
Ushqyerja e shëndetshme kërkon:
Konsumim të një varieteti sa më të madh të ushqimeve, në llojshmëri dhe sasi të përshtatshme.
Konsumim të një dietë të bazuar në ushqime të ndryshme me origjinë më shumë bimore sesa shtazore
Konsumim i bukës, drithërave, orizit ose patateve disa herë në ditë
Konsumim të një varieti zarzavatesh e frutash disa herë gjatë ditës (së paku 400 gram në ditë)
Mbajtje nën kontroll të konsumit të yndyrave.
Përdorim të qumështit dhe nënprodukteve të tij që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripërash
Zgjedhje të ushqimeve që janë me sasi të pakta të sheqerit industrial, i cili duhet përdorur me shumë kursim në pije dhe ëmbëlsira
Zgjedhja e një dietë me sasi të pakta kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë më shumë se një lugë e vogël çaji (6 gram në ditë, duke përfshirë këtu kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara)
Përdorimi i kufizuar i alkoolit veçanërisht tek gratë
Përgatitje të ushqimeve në mënyrë të sigurtë dhe higjienikisht të pastër (ziejeni, piqeni apo gatuajeni në temperaturën e duhur)
Piramida e ushqimit, këshillat për një ushqyerje të shëndetshme ditore, javore dhe të përmuajshme
Konsum i përditshëm
Ujë jo më pak se 1.5 litra në ditë
Drithëra tre herë në ditë në çdo vakt si buka e zezë e grurit, misrit , makaronat, orizi
Fruta perime 3-5 herë në ditë një lugë gjelle me vajra bimore (misri, ulliri apo dhe luledielli)
Qumësht dhe bulmet me përmbajtje të ulët yndyrore
Aktivitet fizik
Konsum i përjavshëm
Peshk, 3 herë në javë
Mish, 3 herë në javë
Fasule dhe bishtaja, 2 herë në javë
Patate, 2 herë në javë
Vezë, 2-3 herë në javë
Fruta të thata dhe ullinj, 3 herë në javë
Dieta duhet të shoqërohet me aktivitet fizik të paktën pesë ditë të javës për 30 minuta
Konsumi i përmuajshëm
Duhen përdorur në sasi sa më të kufizuara :
Ëmbëlsirat
Pijet e gazuara
Pijet alkoolike
Ushqimet e kripura e të konservuara
Ushqimet e skuqura
Yndyrat shtazore si gjalpi dhe margarina
Hallall e keni gjet
Hallall vlla e keni gjet
Hllall plako e keni gjet
sme hyni ne pune