Raporti sipërmarrje tatime mbetet problematik. Edhe pse shmangia nga taksat është një tentativë e të gjithëve, asnjë nuk shpëton dot prej tyre. Megjithatë sipas studimit të bërë nga Open Data Albania, muaji janar ka rezultuar me detyrime tatimore të papaguara në afat. Të dhënat në hulumtim janë marrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Bazuar në legjislacionin tatimor, të gjithë tatimpaguesit që nuk paguajnë detyrimet tatimore në datën e caktuar konsiderohen subjekte të borxhit tatimor. Ndaj këtyre subjekteve, persona të tatueshëm Administrata Tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore ne Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Në janar 2014 në total persona të tatueshëm të penalizuar për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara në afat janë gjithsej 6608 të tillë. Ndër këto subjekte pjesa kryesore janë penalizuar për detyrime tatimore të papaguara në vitin 2012-të konkretisht 2285 persona të tatueshëm. Rrethi që rezulton me më shumë subjekte tatimore për të cilat janë vendosur masa të sigurimit mbi të gjithë pasurinë për ekzekutim të detyrimeve tatimore është Tirana me 57 për qind të totalit. Ndërkohë rrethet e tjera shënojnë përkatësisht Fieri 35 për qind, Lezha e Vlora 3 për qind dhe Shkodra 1 për qind ndaj totalit. Ndër subjektet tatimore të shpallura debitorë për efekte tatimore 2216 janë ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuar apo shoqëri anonime. Ndërsa pjesa tjetër pra 4377 janë thjesht subjekte tatimore dhe 15 të tjera rezultojnë të jenë ndërmarrje apo institucione shtetërore. Administrata Tatimore nga ana e saj nuk bën ndonjë publikim se sa është borxhi tatimor i secilit subjekt apo vlera e mbledhur nga sekuestrot për llogari të autoriteteve tatimore. Shpesh kompani të ndryshme organizojnë aktivitete të përkohshme me NIPT të kompanive të krijuara për qëllime afatshkurtra. Pasi ngarkohen me detyrime të larta tatimore këto kompani bëhen inegzistente dhe shkaktare të dëmit ekonomik për sektorin tatimor.