Pas javësh përleshjesh të përgjakshme në sheshet e Kievit që kulmoi me betejën e fundit 72-orëshe në Kiev, opozita ukrainase firmosi marrëveshjen me presidentin Viktor Janukoviç për t’i dhënë fund krizës politike.
Negocimi
Në pikën e parë të marrëveshjes të ndërmjetësuar nga BE është organizimi i zgjedhjeve presidenciale të parakohshme që do të mbahen brenda dhjetorit, ndërsa brenda 10 ditëve duhet të formohet një qeveri provizore e unitetit kombëtar.
Që tani, kompetencat që i njihen presidentit janë ridimensionuar me parlamentin që miratoi me 387 vota pro dhe vetëm një kundër rikthimin e kushtetutës së 2004-s, ajo e post-Revolucionit Portokalli, që ndër të tjera përcaktonte se parlamenti duhet të votojë votëbesimin e ministrave.
Disa orë më vonë u shkarkua nga detyra ministri i Brendshëm ukrainas, Vitali Zakharçenko. Presidenti filo-rus Janukoviç u angazhua gjithashtu që të mos vendosë gjendjen e emergjencës, ndërsa forcat e sigurisë dhe manifestuesit duhet të shmangin çdo risk që mund të çojë në dhunë.
Pak pasi u bë e ditur se mes qeverisë dhe opozitës në Ukrainë u arrit një marrëveshje, ndodhi një tjetër zhvillim i rëndësishëm. Parlamenti miratoi me 310 vota në favor ligjin nr.2023 që mundëson lirimin e lideres së opozitës, Yulia Tymoshenko.
“Qeveria më e keqe është më mirë se kaosi”
Jo vetëm udhëheqësit e Kremlinit, por edhe liberalët e opozitës dhe simpatizantët e shesheve në Rusi i njohin qeverisë ukrainase të drejtën për të shtypur trazirat.
Vladimir Putin i thotë Angela Merkelit se përgjegjësia e masakrës në Kiev është ekskluzivisht e ekstremistëve që mbushin sheshet. Deputeti i Dumës, Sergei Zelezniak, deklaron se qeveria nuk mund të ndërmarrë asnjë negociatë me “banditët e armatosur”, ndërsa akuzon Janukoviçin për “mungesë të papranueshme vullneti”. Madje edhe kryeministri Dmitri Medvedev, duket se i ka thënë në sy liderit ukrainas se po sillet si një “leckë e vjetër”. Pozicioni zyrtar i Rusisë është i qartë: Sheshet në Kiev përbëhen nga kriminelë, nazistë e terroristë të cilët duhen ndaluar.
Një reagim i parashikueshëm, që përzien stereotipet e propagandës sovjetike me interesat e gjeopolitikës së Kremlinit. Por ajo që duket më pak në shtetet e tjera është reagimi i opinionit publik rus. Betejat që tërbojnë forumet në internet midis rusëve dhe ukrainasve kanë arritur në një nivel të tillë dhune verbale sa vështirë të bëhen citime. “Të shitur të Gei-vropës”, “fashistë”, “policët janë heronj”, “rusofobë”, “Janukoviç shtypi”, “banditë të paguar nga jashtë”, janë frazat më të zakonshme, bashkë me komentete të tipit “ukrainaset do të bëhen prostitutat e Evropës”.
Nga sondazhet rezulton se 55% e rusëve ka ndaj ukrainasve një qëndrim “negativ”. Madje edhe midis eksponentëve të opozitës (së zhdukur liberale) që në ditët e para të manifestimeve në sheshin “Pavarësia” ishin ndjerë ziliqarë nga një protestë aq masive dhe e organizuar (siç nuk ishte parë kurrë në Moskë), sot distancohen. Edhe një parti liberale si “Yabloko” i dënon lëvizjet e protestave që u përpoqën të bashkonin opozitën kundër Janukoviçit duke përfshirë edhe radikalët.
Për shumë revolta ukrainase është hakmarrja e amerikanëve ndaj Rusisë, për pengesat që kjo i vuri në lidhje me mossulmimin e Sirisë”. Edhe Alexei Navalany, lideri i shesheve ruse, një ndër të paktët që ka sfiduar propagandën e shtetit, i cili doli në mbështetje të protestuesve në Ukrainë, u braktis nga një pjesë e mirë e ndjekësve që i shkruajnë: “Të kam votuar, por pasi mbështete homoseksualët dhe ukrainasit më vjen vetëm të të pështyj” – një ndër komentet tipike që përzien homofobinë me nacionalizmin.
Nuk mungojnë as kundërpërgjigjet e ukrainasve dhe mbështetësve të tyre, ndër të cilat “keni lindur skllevër” është më i buti. Dënimi unanim i Perëndimit ndaj një shteti që qëllon mbi qytetarët duket në rastin më të mirë një naivitet dhe në rastin më të keq një ndërhyrje e pafalshme, një provë e komplotit të Perëndimit që manovron sheshin në Kiev. Sipas rusëve, qeveria ka të drejtë edhe kur është një qeveri e korruptuar dhe represive si ajo e Janukoviçit. Por formula e Navalanit “më mirë një popull që rebelohet se një qeveri që vjedh dhe qëllon mbi qytetarët” kundërshtohet nga ajo tjetra: “qeveria më e keqe është më mirë se kaosi”./ Dorina Gjuzi
HALLALL CIA JA ARRITI EDHE KESAJ HERE, ME METODA ALTERNATIVE.