Inkuadrimi me kombëtaren shqiptare është ndër gjërat e fundit me të cilat po merret aktualisht futbollisti i Manchester United, Adnan Januzaj. Këtë e thotë babai i tij, Abedini, i intervistuar nga televizioni kosovar Koha Vizion. Abedin Januzaj, i cili luan edhe rolin e agjentit të djalit të tij, ka hedhur poshtë pretendimet e shtypit belg, të cilit i është referuar edhe ai shqiptare, se futbollisti i United ka refuzuar Belgjikën dhe mund të luajë me Shqipërinë. “Asgjë nuk është e vërtetë, asnjë nga ato që janë shkruar në median belge dhe shqiptare. Asnjëherë nuk i kam thënë Adnanit që ta zgjedhë kombëtaren e Shqipërisë. E përsëris, Adnani është i përqendruar maksimalisht vetëm te Manchester United. S’ka pasur asnjëherë ofertë nga Shqipëria dhe për momentin nuk kemi plane me asnjë kombëtare”, ka thënë Abedin Januzaj. Ai ka shtuar se nuk ka pasur ndonjë kontakt me Tiranën dhe se nuk u duhet besuar raportimeve të medias, sidomos atyre nga Shqipëria. Por, ai gjithsesi ka falënderuar të gjithë ata që po i japin përkrahje djalit të tij.