Adnan Januzaj është një nga pesë të rinjtë më premtues për të ardhmen, sipas italianes “La Gazzetta dello Sport”. E përditshmja më e madhe e Italisë vë në dukje se 19-vjeçari nuk shkëlqen në marrëdhënie me vajzat, si shumë yjet të tjerë, por në fushën e lojës është krejt e kundërta. Ai shënoi që në debutim me Sunderlandin, duke u bërë lojtari më i ri që realizon dy gola në një ndeshje me fanellën e “Djajve të Kuq”. Të ardhmen në nivel klubesh e ka zgjedhur, pasi ka një kontratë me United deri në vitin 2018, kurse për kombëtaren është ende i pavendosur. Emri i dytë tërheqës për të ardhmen është 20-vjeçari Lukas Piazon, i cili luan me Vitesen dhe ka këmbët e arta, pasi me to bën gjithçka, pason, godet, driblon dhe e kontrollon shumë mirë topin me të parën. I treti është nga Anderlehti, ish-skuadra e Januzajt, e drejtuar nga Besnik Hasi. Ylli i ri është 19-vjeçari serb Aleksandar Mitroviç. Hasi me siguri që do të donte ta mbante, por vështirë se klubi mund t’u rezistojë tentativave nga klubet e mëdhenj. Në evropianin U-19 u vlerësua si futbollisti më i mirë. Një pykë tipike evropiane, që ndoshta nuk është shumë i bukur për t’u parë në fushë, por që di si ta dërgojë topin në rrjetë. I katërti është Domeniko Berardi. Futbollisti Sasuolos i shënoi katër gola Milanit, për një fitore të madhe. Talent i vërtetë, por ka një problem, karakterin. Thonë se është më i keq edhe se vetë Baloteli. I fundit është një emër mjaft i përfolur ditët e fundit, Alen Haliloviç, 17 vjeç. Sapo është transferuar nga Dinamo e Zagrebit te Barcelona, ku shpresojnë të ecë në gjurmët e Leo Mesit.