Barazimi ishte rezultati dominues në pesë takimet e luajtura dje për javën e njëzetë të Kategorisë Superiore, me Kukësin fitues i vetëm. Skuadra e Armando Cungut shpartalloi Shkumbinin 5-1 dhe barazohet me Flamurtarin, duke qenë në pozita të shkëlqyera për të arritur kualifikimin në Europa League, që në sezonin e saj të parë në Superiore. Duket se Kupa e Shqipërisë ka ndikuar fort në kampionat, pasi katër gjysmëfinalistët luanin dje dhe vetëm kuksianët nuk i kursyen forcat. Popoviç ishte heroi i takimit, me dy gola të shpejtë brenda nëntë minutave, ndërkohë që shënoi edhe të tretin, pak para pushimit. Në këtë mënyrë, fitorja u sigurua që në pjesën e parë për Kukësin, i cili rriti shifrat në të dytën, me Manukën e Malindin, ndërkohë që miqtë shënuan katër minuta para fundit një gol që nuk mund të quhet ngushëllues, pasi renditja bëhet përherë edhe më e pashpresë. Besa është larguar edhe një pikë më tepër, pasi ka marrë një pikë në Vlorë, në barazimin pa gola me Flamurtarin. Pika e marrë, i lejon skuadrës kavajase që shkojë tetë pikë larg peqinasve dhe të ruajë diferencën prej gjashtë pikësh me Luftëtarin. Ky i fundit nuk arriti të përfitonte plotësisht nga fakti që Bylis luan gjysmëfinalen e Kupës kundër Skënderbeut, duke marrë vetëm një barazim. Fonseka u dha epërsinë vendasve, por Gërxho u përgjigj brenda pjesës së parë dhe shifrat 1-1 nuk ndryshuan deri në fund. Me të njëjtin rezultat u mbyll edhe ndeshja në Fier, midis Apolonisë e Laçit. Një rezultat që nuk i prish apo bën punë askujt, pasi vendasit janë të rënë tashmë dhe as fitorja nuk u bën më punë, ndërkohë që edhe kurbinasit kanë mbetur shumë larg zonës evropiane në kampionat. Kryendeshja e javës ishte në Korçë, ku Skënderbeu dhe Teuta goditën nga një shtyllë, por pa mundur të tundnin rrjetat e njëra-tjetrës. Për durrsakët është vizita e dytë radhazi që dalin të pamundur nga Korça, madje pa pësuar gol, ndërkohë që Skënderbeu suksesin e fundit në shtëpi me Teutën e ka arritur dy vjet më parë. Megjithatë, pika e fituar i vlen më tepër Skënderbeut se sa Teutës, pasi tashmë vendi i dytë i kërcënohet edhe nga Kukësi, me dy pikë më pak, po aq sa dhe Flamurtari. Në këtë mënyrë, duke pasur parasysh që titulli i Skënderbeut nuk mund të preket më, Kukësi dhe Besa janë skuadrat që kanë përfituar më tepër në takimet e djeshme, e para me synimin për Evropën, madje edhe për të qenë nënkampione, e dyta duke marrë pikë të çmuar për mbijetesën në një fushë të vështirë, ndërkohë që mban njëkohësisht larg rivalët.