Janë me mijëra pacientët të cilët i drejtohen çdo vit shërbimit onkologjik në QSUT, ku dhe mësojnë se vuajnë nga një sëmundje tumorale. Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se çdo vit regjistrohen pranë shërbimit të QSUT-së 4,000-4,500 raste të reja, ndërkohë që në realitetet shifra llogaritet të jetë shumë herë më e lartë duke qenë se pjesa dërrmuese e pacientëve nuk e dinë që janë të prekur nga kjo sëmundje e cila zhvillohet në heshtje dhe pa shenja për një kohë të gjatë.
Kanceri është një term i përgjithshëm për një grup të madh të sëmundjeve, ka më shumë se 100 lloje të kancereve, teksa njihet ndryshe edhe me terma të tjerë si tumore malinje dhe neoplazma. Kanceri është rritja e pakontrolluar e qelizave dhe përhapja e tyre,përtej kufijve të tyre të zakonshme, të cilat pastaj mund të pushtojnë pjesë të tjera të trupit dhe të përhapen në organe të tjera nëpërmjet sistemeve të qarkullimit të gjakut dhe limfatike. Çdo pjesë e trupit mund të preket nga kanceri.
Përdorimi i duhanit, alkoolit, dietat jo të shëndetshme, pasiviteti fizik, infeksionet kronike nga hepatiti B (HBV), hepatiti C (HCV virus) dhe disa lloje të virusit të Papillomës Humane (HPV) janë faktorët kryesorë të rrezikut për kancer. Faktorët gjenetik të një personi janë faktorë rreziku ku përfshihen disa agjentë të jashtëm,si karcinogjenët fizikë, (rrezatimi ultraviolet dhe jonizues), ata kimike, (azbesti, përbërësit e tymit të duhanit, aflatoxin, dhe arseniku), biologjikë si infeksionet nga viruset, baktere ose parazitëve të caktuar. Moshimi është një tjetër faktor themelor për zhvillimin e kancerit. Përhapja e kancerit rritet me rritjen e moshës. Barra e kancerit mund të reduktohet duke rritur njohuritë mbi shkaqet e kancerit, si dhe ndërhyrjet për të parandaluar dhe për të menaxhuar këtë sëmundje që është gjithëpërfshirëse. Kanceri mund të reduktohet dhe kontrollohet nga zbatimi i strategjive të bazuara në prova për parandalimin e kancerit, zbulimin e hershëm të tij dhe menaxhimin e pacientëve me kancer.
Shumë lloje të ndryshme të sëmundjeve tumorale kanë një shans të lartë të shërimit, nëse zbulohen herët dhe të trajtohen në mënyrën e duhur. Konkretisht më shumë se 30 për qind e vdekjeve nga kanceri mund të parandalohen duke ndryshuar apo shmangur faktorët kryesorë të rrezikut, duke përfshirë: “përdorimin e duhanit, të qenit mbipeshë apo obezë, dietat jo të shëndetshme dhe konsumin e ulët me fruta dhe perime. Apeli më i madh mbi parandalimin shkon për gratë, ku fatkeqësisht në vendin tonë rezulton se gratë në shumicën e rasteve neglizhojnë ekzaminimet që duhet të kryejnë periodikisht dhe nuk u kushtojnë rëndësi problemeve të vogla dhe ndryshimeve për sa i takon shëndetit, duke u vënë përballë sëmundjeve të kancerit të gjirit, qafës së mitrës, etj.