Policia e Tiranës goditi mbrëmë një rrjet të trafikut të kokainës nga Amerika Latine. U sekuestruan 1,2 kg kokainë e pastër, ndërsa u arrestuan pronari i një dyqani Exchange, një ish-gardist dhe u shpall në kërkim i treti. Operacioni u kodua “Change”, (Shkëmbimi), në qendër të Tiranës, ku të dyshuarit lëviznin me një mjet “Benz ML”. Në pranga ranë Nexhimi Uka, 60 vjeç, banues në Tiranë, pronar i një shkëmbimi valutor, Edmond Rajda, 40 vjeç, për të cilin u tha se është një ish-gardist, si dhe u shpall në kërkim L. B., i dyshuari i tretë. Hetimet për këtë grup kryheshin prej disa muajsh dhe ndërhyrja e policisë u bë në momentin e shkëmbimit të 1,2 kg kokainë dhe origjina ishte Amerika Latine, kurse destinacion tregu shqiptar. Si prova u sekuestruan edhe 2 armë gjahu, 70 mijë euro të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, 30 mijë lekë,140 dollarë të falsifikuar, 600 franga, dhe një sasi parash në valutë paund. Nën sekuestro u vendos edhe dyqani i shkëmbimit valutor, për të hetuar më tej mbi veprimtarinë e paligjshme.