Diktaturat janë sundim i shtetit nga një parti me anë të përqendrimit të të gjithë pushteteve në duart e liderit të saj që mund të jetë kryeministër, president ose që mund të mos mbajë asnjë post qeveritar. Në diktatura nuk qeveriset, po sundohet. Në demokracinë liberale pushtetet janë realisht të ndara dhe baraspeshojnë e kontrollojnë reciprokisht njëri-tjetrin, duke pasur si arbitër Kushtetutën, ligjin, drejtësinë. Pasi jetoi për shekuj me radhë modelin e shtetit të sunduar nga një njeri i vetëm, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët u ngritën me thirrjet liri-demokraci! Por 23 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, shikojmë që në Shqipëri është rikthyer dhe këmbëngul modeli i sundimit të shtetit nga një njeri i vetëm, ndërkohë që ndarja e pushteteve po katandiset gjithnjë e më rrezikshëm në një garniturë pa vlerë. Është një degradim që i dedikohet në radhë të parë strategjisë autokratike, këmbënguljes dhe intrigave të pashtershme të një politikani të vetëm me emrin Sali Berisha dhe klanit që e mbështet atë. Rreth 23 vjet pasi hyri në politikë me slogane kundër diktaturës komuniste, Sali Berisha është bërë mishërimi i një rreziku të ri diktatorial për vendin. Kështjellat e pushteteve kanë rënë njëra pas tjetrës nën sundimin e këtij autokrati që i ka sulmuar i maskuar me flamurin e “demokracisë” dhe “antikorrupsionit”. Aq i madh dhe i ramifikuar është ndikimi i pushtetit të tij në jetët personale të njerëzve (nëse do të kenë një vend pune apo jo, nëse do të kenë të hanë apo jo) sa tashmë jo pak shqiptarë kanë nisur ta kenë frikë. Si qëmoti diktatorin. Dikur një kardiolog, me ambicien e dështuar për të kuruar insuficensat e tiranit komunist, Berisha është shkaku kryesor i infarkteve të njëpasnjëshme të foshnjës së demokracisë shqiptare. Të gjitha katastrofat, tragjeditë dhe megakorrupsionet e më shumë se dy dekadave, mbajnë damkën e këtij tirani që e do “demokracinë” vetëm si maskë për të maskuar pushtetin e tij pa mbarim me “vullnetin e popullit”. Si të gjithë diktatorët përhap fjalë se “e do dhe e voton populli”. Ai e do demokracinë vetëm për t’ia pirë gjakun. Dy dekada pas rënies së komunizmit, ende shteti më i varfër dhe më i korruptuar i Europës, Shqipëria, që të huajt e njohin si Albania, po merr fytyrën e kryepolitikanit Sali. Prandaj mund të quhet fare mirë Salbania!
Email nga adresa: [email protected]