Një nga vështirësitë me të cilat përballen mjekët e familjes sot, është koha e gjatë e plotësimit të recetave në fletët e librezës shëndetësore dhe rishkrimit të mjekimit për pacientin më shumë se një herë. Po kështu, edhe farmacistët shpenzojnë kohë të tepërt gjatë dhënies së barnave të rimbursueshme, me riplotësim të fletëve të librezës shëndetësore. Nisur nga kjo situatë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka vendosur të ndërmarrë një
hap që do të lehtësojë mjekun dhe farmacistin, e njëherësh do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve. Ky hap, lidhet me kalimin nga libreza e shëndetit në kartën e shëndetit. Kjo do të bëjë të mundur të përmirësohet dukshëm cilësia e punës së mjekëve dhe farmacistëve, por njëherësh, do të ketë një kontroll më rigoroz ndaj bluzave të bardha. “Një vëmendje të veçantë ne si institucion, po i kushtojmë dixhitalizimit dhe fuqizimit të sistemit të informacionit, pasi në këtë mënyrë, përpos shkurtimit të burokracive, por edhe kostove financiare, do të bëjmë të mundur përfshirjen më të saktë
dhe të shpejtë të informacionit, e kësisoj, rritjen e transparencës. Projekti i kartës së shëndetit, do të nisë të pilotohet shumë shpejt në disa qendra shëndetësore në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Ne do të kthejmë kështu, kohën dhe rolin e mjekut të familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë fletë libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët do të marrin shërbim e duhur dhe mjeku do shfrytëzojë kohën për të vizituar sa më mirë pacientët, duke fituar dinjitetin dhe rolin që i takon”, drejtori i Fondit, Astrit Beci. Falë kartës së shëndetit, të dhënat e së cilës do të lidhen të dhënat me të dhënat e çdo individi, do të krijohet një ‘skedar’ më i plotë me të dhënat e pacientit. Karta do të lidhet gjithashtu me regjistrin elektronik të pacientëve. Shpërndarja e kartës do të jetë falas, dhe në përmbajtje të saj do jenë emëri pacientit, qendra shëndetësore që i përket, mjeku i familjes, kategorinë së cilës i përket pacienti (për shembull nëse është pensionist, invalid, grua shtatzënë, i papunë, etj), kohëzgjatjen e përfitimeve, kodin e pacientit dhe ID kombëtare. Sipas Becit, realizimi i kësaj nisme do të ndikojë direkt në cilësinë e punës me pacientin, sepse ai është edhe fokusi ynë, por nga ana tjetër do t’i kursejë Fondit miliona lekë që shkojnë për prodhimin e këtij dokumenti, përkundrejt një karte të thjeshtë që do të printohet nga të njëjtat zyra ku aktualisht shpërndahet libreza e shëndetit.
Përfitimet nga karta e shëndetit, ndaj librezës ekzistuese lidhen me:
▪ Lehtësimin e punës së mjekut dhe farmacistit, të cilët nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë
faqet e librezës për çdo recetë të lëshuar.
▪ Me përdorimin e kartës së shëndetit, krijohen lehtësira edhe për pacientët, pasi bëhet e panevojshme
paraqitja e pacientit pranë degëve të Fondit për të rinovuar librezën sa herë mbarohen fletët e librezës.
▪ Informimin nga sistemi elektronik të mjekut të familjes për kategorinë e personit përfitues (nëse
personi përfitues i përket kategorisë së pensionistëve, invalidëve, popullsisë aktive, grave shtatzëna
etj).
▪ Lidhjen e ID kombëtare me personin përfitues, duke ofruar mundësi për shkëmbim të të dhënave me
institucione të tjera në sistem.
▪ Lehtësimin dhe saktësimin e identifikimit të përfituesit, si dhe informacionin përkatës për shërbimet
e përfituara.