Një krim i rrallë në llojin e vet ka tronditur komunitetin e qetë të Përmetit. Një 27- vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri brenda një automjeti taksi, ku udhëtonte si pasagjer, ndërsa vrasësi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të së hënës, kohë në të cilën, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka ardhur një telefonatë se rreth 300 metra pa hyrë në qytetin e Këlcyrës, afër Grykës së Këlcyrës ka ndodhur një vrasje me armë zjarri dhe për pasojë ka humbur jetën një shtetas.
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë, nga hetimet paraprake është rindërtuar ngjarja. Kështu rezulton se në automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi Robert Çoka, 46 vjeç nga Këlcyra, i cili udhëtonte nga Ura e Lekëlit për në Përmet dhe punonte si taksixhi, kanë hipur si pasagjerë tre shtetas tek Ura e Lekëlit: në vendin e parë shtetasi Andi Naçi dhe prapa dy shtetas të tjerë një nga fshati Katundishtë i Përmetit dhe një shtetas tjetër i panjohur.
Midis Grykës së Këlcyrës dhe qytetit të Këlcyrës rreth 300 metra pa u futur në qytet, shtetasi i panjohur që ishte pasagjer i ulur në sediljen pas sediljes së parë të pasagjerit, i ka kërkuar shoferit që ta mbante automjetin për të kryer nevojat personale.
Drejtuesi i automjetit ka mbajtur makinën dhe në momentin që makina ka ndaluar shtetasi që ishte pasagjer ka hapur derën duke dalë jo plotësisht nga makina ka nxjerrë nga xhepi një armë zjarri pistoletë dhe e ka shkrepur në drejtim të pasagjerit të parë.
Në shkrepjen e parë pistoleta nuk qëlloi dhe shtetasi mësohet se e ka rimbushur për së dyti me një shpejtësi të madhe dhe herën e dytë ka qëlluar në mes të shpatullave pasagjerin që ishte në vendin e parë, shtetasin Andi Naçi dhe menjëherë është hedhur nga makina pasi drejtuesi i automjetit i dha gaz makinës nga frika.
Drejtuesi i automjetit ka lëvizuar me shpejtësi në drejtim të spitalit të Këlcyrës për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore Andi Naçit, si dhe ka njoftuar policinë e Përmetit për ngjarjen.
Por në momentin që ka mbërritur në spital, Andi Naci, i datëlindjes 1985, nga Përmeti, me detyrë Inspektor i Agjencisë Rajonale për Mjedisin në Gjirokastër ka humbur jetën.
Shtetasi Andi Naçi ishte i ndarë jo ligjërisht nga bashkëshortja e tij dhe fëmija një vjeç e gjysmë dhe bashkëshortja e tij që prej datës 02.04.2013 ishte me urdhër mbrojtje nga gjykata pasi ish-bashkëshorti ushtronte dhunë dhe e kërcënonte.
Grupi hetimor ka konstatuar se gëzhoja është qitur nga një armë zjarri pistoletë “Makarov”. Autori i vrasjes dyshohet se është larguar në drejtim të shtratit të lumit Vjosë ose në drejtim të pyllit. Forca të shumta policie kanë krehur zonën dhe janë ngritur disa pika kontrolli në akset rrugore Këlcyrë Përmet, Këlcyrë -Lekël e Tepelenë, duke kërkuar arrestimin e autorit para mëngjesit.
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se po hetohet në disa pista, por pista e parë ëshë ajo e hakmarrjes.