Në orët e fundit të seancës parlamentare të së hënës, Sali Berisha rifuti në debatin e Kuvendit karshillëkun e tij ndaj Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle. Dy ditë më parë, Stefan Fyle i kërkoi qeverisë shqiptare të hiqte dorë nga kërkesa për referendum, si një praktikë që në thelb ishte e kundërta e asaj çfarë Bashkimi Evropian kërkonte nga Shqipëria. Ishte ndoshta deklarata më pa ekuivok që Bashkimi Evropian ka bërë ndonjëherë kundër Sali Berishës. Ishte po ashtu dhe një përgjigje shteruese përse retorika e Berishës për tre ligjet ishte një abuzim.
Tani çështja e vetme që ha debat është përse i intereson Berishës një konflikt me Brukselin dhe jo përse i duhet Berishës referendumi.
Nga një vështrim i shpejtë duket se e vërteta është midis. Berishës as i intereson ndonjë betejë deri në fund me Brukselin, por as ndonjë betejë deri në fund për referendumin. Problemi i tij i vetëm është tensioni i lartë i krijuar në vend nga lidhjet e krimit të organizuar me kupolën e shtetit shqiptar dhe hapja e një debati të ri nga Tirana në Bruksel për një budallallëk. Nga ky debat Berisha do të tërhiqet për ta shitur si favor. Është e njëjta gjë që bëri me nacionalizmin e tij sezonal. Siç patëm paralajmëruar ai do të tërhiqet nga beteja për nacionalizmin, me kusht që SHBA t’ia quajë këtë si meritë, e njëjta gjë ka për të qenë në finale dhe me referendumin. Dhe kjo ka shpjegimin e vet.
Së pari, referendumi nuk është një betejë që Berisha mund ta bëjë para 23 qershorit, për arsye fizike. Si për ta bërë qesharak deri në fund këtë proces, duket se ka ngarkuar Tritan Shehun, që nuk i vjen turp nga asgjë sa për ta shtyrë debatin disa ditë.
Nga pikëpamja ligjore asgjë nuk është në favor të tij. Sipas pikës 2, të nenit 81 të Kushtetutës, referendumi për ligjet mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve “miratohet me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Edhe sikur Berisha t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese kërkesën, përgjigjja e saj për të drejtën e referendumit nuk mund të barazohet si në rastin e një çështje siç është fjala vjen referendumi kund plehrave, ashtu dhe për një ligj, i cili nuk mund të hidhet në referendum pa kaluar diskutimi dhe miratimi i tij “në parim, nen për nen dhe në tërësi” në Kuvendin e Shqipërisë.
I vetmi favor i Berishës për retorikën e referendumit ishte favori politik. Duke folur broçkulla për Evropën dhe “bllokatorët”, kishte shanse të mbushet kohën me gënjeshtra. Por dhe ky favor ra në momentin që Komisionari për Zgjerimin, Stefan Fyle, tha se referendumi është i dëmshëm dhe është e kundërta e asaj çfarë kërkon Evropa nga Shqipëria.
Për këtë arsye Berisha nuk ka për t’i shkuar deri në fund referendumit. Thjesht i duhet të konsumojë ca ditë debati shterpë, që të zërë hapësirën mediatike që është e orientuar drejt lidhjeve të krimit me politikën dhe problemeve që shoqërojnë drejtësinë në Shqipëri lidhur me proceset politike të 21 Janarit, Gërdecit, etj.
Problemi i dytë që i hap kjo retorikë, konflikti me Evropën, po ashtu nuk ka për të shkuar deri në fund. Berisha e ka shpikur referendumin pas “nacionalizmit” si një shashkë për të cilën duhet të shpërblehet “kur të tërhiqet”. Duke qenë një konflikt i pabazë dhe një aksion i pamundur si nga ana ligjore, ashtu dhe fizikisht, Berisha është brenda teorisë së tij që çmimi i budallallëkut është gjithçka, vlera asgjë. Ai pra kërkon t’i shesë Evropës një problem të sajuar prej tij, si një koncesion që ata duhet t’ia bëjnë për probleme konkrete nëse ky tërhiqet. Për t’u dhënë një sinjal që nuk e ka seriozisht, ka caktuar Tritan Shehun. Por për t’u thënë që do doemos një pazar që të tërhiqet, e ka rihapur debatin fiks kur duhet ta mbyllte. Stefan Fyle nuk besoj se e ka të vështirë ta kuptojë këtë kapriço. Nga një vend komunist vjen dhe ai dhe e njeh mirë se si flitet ndryshe e mendohet ndryshe.
Por ka dhe një skenar të tretë dëshpërues për Berishën. Ai është që as opozita dhe as Brukseli të mos ia vari fare budallallëkut të tij. Ta lënë të dialogojë vetëm me Tritanin, me të vetmin që i gjendet pranë sa herë prishet me Perëndimin. Preshtë bëhen këtë muaj.