Vijon dëshmia në Hetuesi e Koço Theollosit, I cilësuar pjesë e grupit të pandehur të “gjyqit të grupit të sabotimit në fushën e Ekonomisë”. Theollosi: Kiço Ngjela më është shprehur se Nako Spirua bënte plane me shifra të fryra, e donte të prishte marrdhëniet tona me Jugosllavinë.
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 6 Tetor 1975
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime për veprimtarinë armiqësore që ke zhvilluar kundër pushtetit popullor.
Përgjigje: Një pikpamje tjetër e imja kundër vijës së Partisë, ka qenë edhe ajo sepse mua, nga viti 1970 e këndej, planet për zhvilimin e ekonomisë së vendit, si ato vjetore dhe perspektivat, më dukeshin shifra të fryra, që hartoheshin për bujë dhe që ishin të parealizueshme, mbasi sipas meje, vendi ynë nuk i kishte mundësitë reale për plotësimin e shifrave të planifikuara. Them në vitin 1970, sepse deri në atë kohë unë isha mirë me realizimin e planit për të gjithë sektorët që kishte Ministria e Industrisë dhe Minierave dhe po atë vit është filluar projekt-plani i pesë vjeçarit të pestë të ekonomisë së vendit, të cilin unë në ndërgjegjen time e konsiderova me shifra të fryra dhe të pabazuar në mundësitë reale që kishte vendi ynë në realizimin e tij. Unë, në vehten time, kisha mendimin që shifrat e këtij plani duhet të ishin më të vogla, pamvarësisht se kjo ulje mund të sillte si pasojë edhe uljen në një farë mase të nivelit të jetesës të popullatës.
Projekt-direktivat e këtij plani u shpërndanë qysh nga 1970 dhe mbasi u diskutuan edhe nga masat punonjëse, u aprovuan nga Kongresi i 6-të i Partisë më 1971. Gjatë kësaj periudhe, unë si ish-kandidat i Byrosë Politike dhe anëtar i Qeverisë, kam marrë pjesë në disa mbledhje të bëra në rrugë Partie e Shteti, ku diskutoheshin këto direktiva dhe në asnjërën prej tyre nuk ja thashë hapur Partisë rezervat që kisha dhe që përmenda më lartë. Këtë rezervë, unë nuk ja thashë Partisë, sepse edhe në planet e mëparshme, kisha konstatuar që Partia i kishte aprovuar ato me shifra të fryra dhe që në zona të caktuara nuk ishin realizuar, sidomos në drejtim të bujqësisë dhe blegtorisë. Unë mendoja se vija politike e Partisë për çështjen e planifikimit të ekonomisë, ishte që bëheshin plane me shifra të fryra e për bujë në disa drejtime të caktuara dhe duke mos i parë ato mbi mundësitë reale që kishte vendi, planet në ato drejtime mbeteshin të parealizuara, kryesisht në drejtim të bujqësisë. Kështu që duke pasur këtë pikpamje të kundërt me vijën e Partisë për këtë çështje, nuk kisha se si t’i thoja hapur Partisë këto rezerva të mija.
Veç sa më sipër dua të them se unë kam pasur pikpamjen anti-parti edhe kundër udhëheqjes kryesore të Partisë dhe konkretisht. Unë duke pasur rezerva ndaj vijës së Partisë, nuk i kam kërkuar asnjëherë ndihmë udhëheqies kryesore të Partisë e të Shtetit, veçanërisht mbas vitit 1970 e këtej, sepse në fillim, unë duke mos qenë dakort me vijën e Partisë për çështjen e zhvillimit të ekonomisë dhe duke e konsideruar veten shumë të aftë për problemet e sektorëve që drejtoj, duke qenë mendjemadh, mendoja se s’kisha pse t’i kërkoja ndihmë udhëheqjes kryesore të Partisë e të Shtetit, mbasi simbas meje ajo nuk është në gjendje dhe e paaftë që të më jepte mua mendime e ndihmë më të madhe nga mendimet që kisha vetë për ndjekien e zgjidhjen e këtyre problemeve. Ky është një faj tjetër shumë i rëndë që unë kam bërë kundër vijës së Partisë. Mbas viteve 1972-1973, unë Komitetin Qendror të Partisë dhe Qeverinë, nuk e kam informuar as realisht për dëmet e mëdha që bëheshin, sidomos në sektorin e naftës. Informacionet që dërgoja ishin të përgjithshme e me rrumbullakosje. Këtë e kam bërë sepse kisha frikë t’i raportoja realisht për këto dëmtime të mëdha, sidomos në naftë, sepse edhe unë isha fajtor e do të përgjigjesha për këto faje. Këtë e them sepse unë e dija, bile kisha dhënë edhe vetë udhëzime që të shfrytëzoheshin vendburimet ekzistuese të naftës me mbingarkesë të madhe, ose të bëheshin kërkime e shpime jashtë normave e rregullave shkencore të caktuara. Të gjitha këto ishin veprime kundër vendimeve të Byrosë Politike të KQ dhe të Qeverisë. Unë mendoja se do të gjenim një vendburim nafte të madh në gëlqeroret dhe kështu do të mbyllej kjo punë, ose simbas meje do të zvogëlohej përgjegjësia.
Nga muaji Maj i vitit 1974, në një analizë që bëra në Institutin e kërkimeve të naftës, pashë që atje sabotohej hapur në çështjen e kërkimeve, unë me gjithë këtë, mora vetëm disa masa që të gjenin me doemos një vendburim të ri, sepse ishim keq dhe të zgjidhnim disa problem të rëndësishme të gjeologjisë, sidomos rilevimet e të tjera. Sabotimet kryesisht konsistonin në faktin se rilevime për kërkimet bëheshin më pak sesa nevojiteshin.
Pyetje: A e informove ti i pandehur Komitetin Qendror të Partisë dhe Këshillin e Ministrave për sabotimet që konstatove se bëheshin në Institutin e kërkimeve të naftës?
Përgjigje: Jo, nuk informova për këto sabotime, as Komitetin Qendror dhe as Këshillin e Ministrave.
Pyetje: Përse ti i pandehur nuk informove Komitetin Qendror dhe Qeverinë për këto sabotime që konstatove se kryheshin në Institutin e kërkimeve të naftës?
Përgjigje: Unë nuk informova Komitetin Qendror të Partisë dhe udhëheqjen e Qeverisë, për këto sabotime që konstatova se po kryheshin në Institutin e kërkimeve të naftës, sepse siç e kam shpjeguar edhe më lartë, kisha pikpamjen anti-parti, se udhëheqja kryesore e Partisë dhe e Shtetit nuk ishte në gjendje të më jepte mua mendime për zgjidhjen e këtyre problemeve. Unë, si mendjemadh e teknokrat që isha, mendoja se këto probleme i zgjidhja vetë, me anë të atyre masave që mora kur shkova në Institutin e naftës dhe në të njejtën kohë unë isha bashkfajtor me Beqir Alinë e Lipe Nashin, sepse edhe më parë e dija që ata në sektorin e naftës kishin vepruar kundër vendimeve të Byrosë Politike e të Qeverisë, e jo vetëm që nuk mora ndonjë masë ndaj tyre, por i lashë ata të vepronin si më parë, duke kryer sabotime në sektorin e naftës, por unë nuk u kam thënë atyre që të kryenin këto sabotime.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 27.11.1975
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime për pikpamjet e tua armiqësore e anti parti që ke patur kundër vijës së përgjithshme të Partisë.
Përgjigje: Më kujtohet që nga viti 1947, që unë punoja në Komisionin e Planit të Shtetit, ku president ishte Nako Spirua, nënpresident, Kiço Ngjela dhe unë, Pupo Shyti, Muhamer Spahiu, Ciril Pistoli e më duket edhe Tonin Jakova, ishim punonjës në Komisionin e Planit të Shtetit.
Mbaj mend që në ato kohë, unë, kiço Ngjela, Pupo Shyti e ndonjë tjetër që s’më kujtohet, kemi shkuar si delegacion në Jugosllavi, për bashkërendimin e planeve ekonomike që kishte hartuar Qeveria jonë dhe ishte fjala për kërkesat tona që i paraqitnim palës Jugosllave, për të na i plotësuar dhe për mallra të ndryshme që ne do të eksportonim në Jugosllavi. Pala Jugosllave nuk na i pranoi të gjitha kërkesat tona dhe na thanë që juve kini kërkesa të fryra dhe që gjoja ata nuk kishin mundësi të na i plotësonin. Kështu më kujtohet që Kiço Ngjela, që ishte edhe kryetar i delegacionit tonë, na thoshte që t’i shikojmë edhe një herë këto shifrat e kërkesave tona se mos i kemi të fryra. Gjithashtu edhe unë, kisha qysh atëhere lëkundjet se mos me të vërtetë këto kërkesat tona mbi të cilat ishin vendosur edhe treguesit e kërkesave tona, ishin të fryra. Kështu që më kujtohet se ne atje në Jugosllavi i ripunuam këto kërkesa duke iu referuar masave që përcaktonin vetë Jugosllavët. Përfundimisht këto kërkesa ne i zgjidhëm simbas dëshirës së Jugosllavëve. Bile më kujtohet mirë që Kiço Ngjela më ka thënë mua dhe Pupo Shytit që ju duhet të reduktoni shifrat e kërkesave tona simbas dëshirës së Jugosllavëve, sepse Jugosllavët kaq kanë mundësi të na japin, e jo se nuk duan të na japin neve, pamvarësisht nga kërkesat tona. Në fakt unë dhe Pupo Shyti i ripunuam duke i thjeshtuar shifrat e këtyre kërkesave. Këto gjëra më kujtohen për këtë rast.
Nga muaji Mars i vitit 1948, mbaj mend që unë kam shkuar përsëri në Jugosllavi që ata të na jepnin nja 5000 (mijë) ton misër. Jugosllavët nuk na i dhanë këtë sasi drithi, bile na thanë që ky problem do të zgjidhet ndërmjet dy partive tona. Kështu që unë u ktheva në Shqipëri pa marrë gjë. Atë ditë që erdha në Shqipëri, ka qenë rreth orëve të drekës, mbaj mend që shkova drejt e në Komisionin e Planit të Shtetit. Këtu u takova me Kiço Kasapin që në ato kohë punonte në Komisionin e Planit ose në Kryeministri. Kiço Kasapi së bashku me një shok tjetër, që tashti nuk e kujtoj dot se kush ka qenë, më thanë që hajde me ne se diku do të vemi, pa më treguar konkretisht se ku. Mesa më kujtohet, ia hipëm makinës të tre dhe shkuam te ish-shkolla e “Dakos”. Aty u futëm në një sallë ku zhvillohej mbledhje. Këtu ata më thanë që zhvillonte punimet Pleniumi i 8 i KQ të Partisë, bile vazhdonin diskutimet se mbledhja kishte filluar më përpara. Unë në ato kohë nuk isha zgjedhur anëtar i Pleniumit të KQ. Këtu Kiço Kasapi, më kujtohet mirë që më tha disa herë që ngrehu e diskuto kundër Nako Spiros, se planet tona kanë qenë me shifra të fryra dhe kërkesat që u kemi bërë Jugosllavëve kanë qenë shumë të fryra.
Unë aty pashë që diskutantët, të cilët nuk më kujtohen, dënonin Nako Spiron si njeri që donte të prishte marrdhëniet me Jugosllavët dhe për këtë kërkonte plane të fryra e u bënte kërkesa të mëdha Jugosllavëve që nuk na i plotësonin dot. Megjithëse Kiço Kasapi më tha disa herë që të ngrihesha për të diskutuar, unë nuk diskutova sepse megjithë që edhe vetë mendoja se kishte në planet tona shifra të fryra, nuk kisha bindjen që të dënohej Nako Spirua si prishës i marrdhënieve tona me Jugosllavinë për shkak të këtyre shifrave.
vijon neser…
QYFYRE NGA RREGJIMI QYFYR , dhe sot presim te na vije demokracia nga kjo fare e trasheguar, nga genc ruli pershembull nje koqe hajduti e mashtruesi e asgje tjeter , anastas angjeli doktor i shkencave ekonomike per xhepine tije se kerkush tjeter sja ka pare hajrin ,hapi unversitet privat ,merret me trustin e bananeve dhe naften , etj,etj shkurt vemjet e kane mbytur kte popull ne kto 100 vjet pamvaresi nga te huajt ,dhe pirje gjaku nga monstrat politikeekonomike tonat,
Si ka mundesi ti deklaroj vete me deshire dhe te mbetet pa u denuar me pushkatim.Me siguri keto i regullonin hetuesit dhe i detyronin te “pandehurit”te firmosnin.