Dhe është sërish Shën Valentini. Mund të jetë një ditë romantike dhe emocionuese. Ose diçka e vështirë dhe konfuze. Çfarë do t’i bënit dhuratë dikujt për të cilin ndjeni një pasion të ri? Po dikujt të cilit ia keni treguar dashurinë për më shumë se 10 vjet? Apo dikujt që po e admironi nga larg. Ja disa këshilla për të gjithë:
Vetëm një muaj bashkë
Një lidhje e re nënkupton se gjithçka ndihet edhe më e veçantë. Dhe “përvoja” e të qenit së bashku shpesh është më e rëndësishme sesa një dhuratë e prekshme. Nëse keni të ardhura të mjaftueshme për t’u treguar dhe pak mendjemëdhenj, mund të punësoni një kuzhinier personal që të vijë e t’ju gatuajë një darkë romantike. Por nëse buxheti juaj s’është aq i madh një “piknik shtëpiak” me jastëkë të fryrë, me fruta të shijshme dhe një shishe verë do të ketë të njëjtin efekt. Por edhe një shishe e vogël uiski për djalin ose një tufë e madhe lulesh për vajzën do të ishin një zgjedhje e bukur. Jo detyrimisht trëndafilë. Djemtë bëjnë mirë t’i kushtojnë rëndësi ngjyrave në apartamentin e saj dhe t’i përshtasin edhe lulet. Por jo tulipanë. Tulipanët s’janë tërheqës!”
Një vit së bashku
Pas një viti së bashku është koha më e mirë për të festuar Shën Valentinin. Marrëdhënia është ende mjaftueshëm e re për të ndier ende atë drithërimin, megjithëse keni pasur kohën e mjaftueshme për ta njohur njëri-tjetrin dhe për t’u ndier mirë gjatë kohës.
Një masazh pranë zjarrit bashkë me një shishe shampanjë dhe disa fruta të zhytyra në çokollatë janë një mënyrë e mirë për të ndezur romancën.
Për meshkujt, një dhuratë e mirë do të ishin dy bileta për një koncert që ai preferon ose për një ngjarje sportive. Ndërsa bizhuteritë janë gjithnjë një dhuratë e bukur për femrat.
Pas pesë vjetësh
Pesë vjet së bashku nënkupton që diçka e bukur është mes jush. Për pak më shumë emocion, porosisni një makinë me qira që t’ju marrë dhe t’ju çojë në restorantin më të mirë të qytetit. Pastaj gjeni një lokal ose një vend me muzikë (xhaz ndoshta) dhe uluni diku në cep që të mund të shijoni njëri-tjetrin dhe të fikni dritat për botën rrotull. Nëse s’keni shumë para? Harrojeni makinën. Porosisni një pica në shtëpi dhe pastaj diku për të kërcyer në mënyrë që të mund të harroheni në krahët e njëri-tjetrit.
10 vjet pranë e pranë
Pas 10 vjetësh e njihni njëri-tjetrin shumë mirë dhe tashmë mund t’i keni këmbyer dhuratat tipike të Shën Valentinit disa herë me radhë. Ndoshta është koha për të bërë diçka me më shumë kuptim. Ndoshta është koha të shkoni në vendin ku jeni takuar për herë të parë, ose ku keni festuar Shën Valentinin e parë. Për dhuratat, një trajtim bukurie do të ishte perfekte për një femër, ndërsa për mashkullin do t’ia vlente një anëtarësim në lokalet me birrë.
Një çerek shekulli
Nëse keni 25 vjet bashkë, do të thotë se ndoshta gjatë viteve s’keni pasur shumë kohë të merreni me veten, pasi i jeni përkushtuar familjes. Kështu që një fundjavë së bashku për t’u qetësuar dhe për të shijuar praninë e njëri-tjetrit do të ishte perfekte.
Ende në fazën e flirtimit
Ç’mund të bëni për dikë të veçantë të cilit ia keni ngulur sytë, por s’keni bërë ende asnjë lëvizje? Ëmbëlsirat janë një mënyrë për t’u futur në zemrën e tij/saj. Me çokollatat nuk gabohet asnjëherë. Janë të shijshme dhe asnjë nuk nervozohet se mund të ketë shpenzuar shumë. Janë të paktë njerëzit që do të kthenin mbrapsht një kuti me çokollata apo një shishe shampanjë.