Pas një maratone të gjatë konstituimi, Këshilli Drejtues i Televizionit Publik Shqiptar hap konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm; një post vakant që prej dorëheqjes së Petrit Becit në dhjetor 2013.
Konkursi do të jetë i hapur nga 1-10 qershori, kohë kur kandidatët do të dorëzojnë pranë Këshillit Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar një CV, platformën e tyre dhe një plan menaxhimi për institucionin.
Anëtarë të Këshillit Drejtues i thanë BIRN-it se pas mbylljes së konkursit, kandidatët do të paraqesin platformat e tyre përmes një dëgjese të hapur. Edhe pse statuti i vitit 2000, mbi të cilin bazohet kjo procedurë parashikon dëgjesë vetëm për dy kandidatët më të votuar, Këshilli Drejtues ka vendosur në unanimitet dëgjimin e të gjithë kandidatëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar zgjidhet me 2/3 e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues për një mandate 5 vjeçar. Megjithatë, shumica e cilësuar pritet ta vështirësojë procesin e zgjedhjes së kreut të Televizionit Publik.
Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues u bllokua për një periudhë 1-vjeçare, për shkak të mosmarrëveshjeve mes mazhorancës dhe opozitës. Ngërçi u tejkalua vetëm pasi mazhoranca votoi 5 anëtarë të mbështetur prej saj, duke i lënë opozitës dorë të lirë në 5 anëtarët e tjerë.
Për shkak të këtij konfigurimi, arritja e një konsensusi mes anëtarëve të Këshillit Drejtues duket e vështirë. Anëtarja e Këshillit Drejtues, Valbona Sulçe thotë megjithatë se dakordësia për një figurë profesionale nuk është e pamundur.
“Edhe pse eksperiencat e mëparshme nuk kanë qenë pozitive, unë besoj se ky Këshill Drejtues mund të zgjedhë në krye të Televizionit Publik një figurë profesionale dhe të pandikuar nga preferencat partiake,” tha Sulçe për BIRN.
“Vendimmarrja e deritanishme e Këshillit Drejtues ka qenë në frymën e konsensusit,” shtoi ajo.
Televizioni Publik Shqiptar ka dështuar ndër vite të krijojë një reputacion të pavarur politikisht dhe në përputhje me interesin publik. Për këtë arsye, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë kërkuar vullnet politik për reformimin e TVSH.
Zgjedhja e drejtorit të Përgjithshëm përmbyll fazën e rifreskimit të strukturave drejtuese të Televizionit Publik Shqiptar dhe i hap rrugën sfidës së reformimit në dobi të publikut./BIRN