Dokumenti voluminoz parashtronte 60 pikësynime që partia do të përpiqet të realizojë gjatë asaj periudhe. Plani përfshin reforma të gjera, ndër të cilat përfshihen ndryshime ekonomike, kulturore, politike, sociale dhe ambjentaliste.
Sipas planit, kompanitë shtetërore kineze do të përballen me konkurrencë nga kompanitë private dhe do të lehtësohen kontrollet ndaj investimeve të huaja në sektorë si tregtia në internet dhe biznese të tjera.
Për tre dekada, ekonomia kineze ka njohur rritje galopante. Por këtë vit ekonomia pritet të rritet me ritmet më të ngadalta në 23 vjet. Planet e njoftuara dje shënojnë një ndër reformat më të thella ekonomike që nga fillimi i viteve 1990.
Përveç reformave ekonomike, plani përfshin ndryshime në politikat sociale që ka qenë objekti kryesor i kritikave nga brenda dhe jashtë vendit.
Agjencia kineze e lajmeve Xinhua njofton se Kina do të lehtësojë politikat për kontrollin e lindjeve të vendosura që nga fundi i viteve 1970 dhe që lejonin vetëm një fëmijë për çift. Sipas njoftimit, çiftet do të lejohen të kenë dy fëmijë, nëse një nga prindërit është fëmijë i vetëm.
Disa aktivistë i përshëndetën reformat, por vunë në dukje se ato nuk marrin në shqyrtim shqetësime bazë të shoqërisë kineze. Partia Komuniste në pushtet thotë se duhet të ngadalësojë shtimin e popullsisë për të mbrojtur burimet natyrore. Këto politika kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e shoqërisë kineze që po plaket me ritme alarmante, ndërkohë që një përqindje më e vogël të rinjsh futen në krahun e punës.
Aktivisti kinez Yang Zhizhu thotë se ndryshimet e propozuara do të lejojnë vazhdimin e mohimit të një të drejte bazë dhe nuk zgjidhin problemin e plakjes së popullsisë.
“Nga njëra anë, qeveria pohon se popullata po plaket, por rregullat për kontrollin e popullsisë nuk i përgjigjen këtij shqetësimi. E drejta për të bërë fëmijë është vendosur prej mijëra vjetësh në historinë e njerëzimit”.
Maya Wang është studiuese për zhvillimet në Kinë pranë degës së organizatës Human Rights Watch në Hong Kong:
“Fakti që çiftet, nëse njëri prej prindërve ka qenë fëmijë i vetëm, tani mund të bëjnë më shumë se një fëmijë, nuk eliminon shqetësimin se i gjithë sistemi vazhdon të shkelë të drejtat e grave, në veçanti të drejtën e riprodhimit. Prandaj kur flitet për lehtësim të kufizimeve, duhet ta shohim me sy kritik këtë njoftim”.
Propozimet nuk përmendnin rastin e çifteve që kanë më shumë se një fëmijë, por që nuk i kanë regjistruar në dokumentat shtetërorë. Shtetasit kinezë janë të pajisur me një letër-njoftim të quajtur hukou, i cili është një dokument i domosdoshëm për t’u regjistruar në shkollë, për t’u mjekuar dhe për të gjetur punë.
Sipas përllogaritjeve zyrtare në Kinë ka rreth 13 milionë vetë që nuk kanë një dokument të tillë.
Përveç lehtësimit të politikave për kontrollin e lindjeve, Partia Komuniste thotë se do të punojë edhe për të reduktuar numrin e krimeve që ndëshkohen me vdekje. Partia thotë se do të mbyllë edhe sistemin e kampeve të punës, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Sipas sistemit aktual, policia mund të ndëshkojë shkelësit e ligjit me dënime për të shërbyer në kampe pune për vite me radhë, pa pasur nevojë për t’u shpallur fajtorë në gjyq. Nuk është e qartë se çfarë masash do të zëvendësojnë kampet e punës, ku sipas llogaritjeve dergjen rreth 190 mijë vetë.
Sistemi është kritikuar prej vitesh. Aktivistët e shohin si një mjet në duart e qeverisë për të shtypur dissidentët. Maya Wang e Human Rights Watch thotë:
“Ata që ankohen për qeverinë, aktivistët politikë, njerëzit që shkruajnë artikuj kritikë ndaj autoriteteve, kanë përfunduar në kampe të tilla si ndëshkim për aktivitetin e tyre. Prandaj mbyllja e këtij sistemi do të ishte me rëndësi”.
Zonja Wang shton se kampet e punës janë vetëm një ndër format e ndëshkimit që qeveria kineze përdor kundër disidentëve dhe njoftimet e fundit nuk nënkuptojnë ndalimin e përndjekjes për kundërshtarët politikë të regjimit.
i qajne hallin kaloresit qe po i varen kembet? shikoni se jeni ne pike te hallit per vete ju me gjithe demokracine tuaj te bukur.shikoni te merni ndonje borxh nga fmn se ju mbyti e ashtu quajtura krize,qe asnje nuk e mori vesh nga erdhi kush ishin fajtoret etj. tung
Gjiganti kinez njoftoi se gjer ne vitin 2020 do të jetë superfuqia e parë e botes në tregetine dhe forcën e detit!Vajtjet 6 herë vitin e kaluar të Merkel për borxhe,(ka gjendje 3000 miliardë) nuk e tunden “dragoin” kinez i cili dikur premtoi se vellanë e tij në Europe,do ta bente më të pasur se Zvicra dhe vitrinë ku Europa të shihte dhe blinte mallrat kineze!(Le Monde,interviste me Ten Hsiao Pin) Italia sot po nxiton të lidhet fuqishëm me Kinen qe bleu “paketën” Ferrari dhe po thith moden italiane ku “Arman”Versace”,Cavalli,Dolce&gabana etj po i shesin asaj perqindje nga firma ngjashëm si shitja e Interit në Indonezi! Rama ende nuk kupton ku duhet shkuar dhe si !