Kisha katolike u bën thirrje besimtarëve të mos e shesin votën e tyre në 23 qershor. Në një qarkore të lëshuar nga ipeshkvitë katolike të Shqipërisë me rastin e zgjedhjeve të 23 qershorit, u bëhet thirrje besimtarëve që të mos shesin votën e tyre, pasi kështu shesin lirinë. Në qarkore thuhet se ka tendenca manipulimi të zgjedhjeve, ndërkohë që bëhet thirrje për një fushatë të qetë, që do nxjerrë një Kuvend që do të luftojë pa kompromis korrupsionin.
“Një fenomen i rëndë është vota nën kërcënim, sidomos lidhur me premtim të vendit të punës. Prandaj është me rëndësi të mos përfshihet administrata publike vendore apo qendrore në këtë proces e aq më pak të kërcënohen me privimin e vendit të punës persona që duan të votojnë ndryshe apo kanë një bindje ndryshe nga forca politike që i ka futur në punë. Kjo është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut dhe të punësuarit që me këtë punë mban familjen e tij”, thuhet në qarkore.
“Është më se i nevojshëm një administrim i rregullt i procesit të zgjedhjeve në të gjitha hallkat e tij. Në kohët e fundit mjerisht vërehen tendenca manipulimi në këtë proces nga ana e partive politike. Ka shumë rëndësi njohja e zgjedhjeve dhe pranimi i rezultatit nga të gjitha palët dhe kontributi që procesi të jetë sa më demokratik për të pasur një Parlament e Qeveri legjitime dhe efikase”, bëjnë thirrje klerikët.
“Vota juaj duhet të jetë për një Parlament që sjell një qeveri, e cila lufton pa kompromis korrupsionin, këtë plagë vdekjeprurëse për demokracinë në Shqipëri. Gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjitha strukturave shoqërore dhe qytetarëve që të angazhohen për një Shqipëri pa vrasje dhe hakmarrje. Jeta është e shenjtë dhe askush nuk mund të prekë jetën e tjetrit. T’i lutemi Zotit për një Shqipëri që di të garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike e për një mbarëvajtje të procesit zgjedhor të 23 qershorit 2013”.
Ja me ne fund nje qendrim shume parimor .Me mire ske si u drejtohesh bijve te zotit qe nuk vuajne nga fatkeqsit natyrore por nga ato politike.