Çfarë i bëri vallë njerëzit të lëshoheshin ashtu mbi ëmbëlsirën publike? Asgjë, vërtet; askush prej tyre, i marrë veçmas, nuk do të kish guxuar t’i vërvitej tortës aq babëzisht. Përkundrazi, ishte turma ajo që sulmoi, dhe motivet e turmës janë sa të thjeshta, aq edhe të vështira për t’u verbalizuar: turma iu vërvit tortës sepse torta thjesht ishte aty, e ofruar për konsum; tek e fundit njerëzit prandaj edhe ishin mbledhur në shesh, jo aq për ta ngrënë tortën, sesa për ta konsumuar simbolikisht; torta ishte arsyeja e turmës, po aq sa ç’ishte turma arsyeja e tortës.
Në këtë tablo, që rimerr emblematikisht historinë e marrëdhënieve tona me hapësirën publike këto njëzet vjet, munguan vetëm forcat e rendit, organizatorët, sistemi i kontrollit masiv, parashikimi i skenarit më të keq; me fjalë të tjera, qytetërimi, gjakftohtësia dhe përgjegjshmëria. Festa e madhe e 100-vjetorit të Pavarësisë, degradoi kështu në një konsum ritual të flamurit kombëtar, të cilin njerëzit e copëtuan dhe e hëngrën; veç jo me rregull dhe hijeshi, si në gostinë aq të pritur dhe të uruar; por me atë kaos, egërsi dhe instinkt të cilin jemi mësuar tashmë ta shohim te ai që i kishte thirrur në atë shesh.
Email nga adresa: [email protected]