Gjatë ditë së sotme Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhënë urdhër për arrestimin e gjykatësit Dhimitër Pojanaku, duke e pezulluar përkohësisht nga detyra. Kërkesa për miratim ishte bërë nga Prokurori i Përgjithshëm dhe brenda 24 orëve nga arrestimi i gjykatësit, KLD zhvilloi mbledhjen e saj. Lidhur me këtë ngjarje, KLD vendosi të autorizojë Prokurorinë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale penale për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Pezullimi vlen deri në momentin e marrjes së një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Dhimitër Pojanaku është arrestuar dje në një prej lokaleve të qytetit të Pogradecit teksa ishte duke marrë një sasi lekësh për mbylljen e një cështjeje civile.
Policia e Korçës sqaroi se ka qenë denoncimi i një qytetareje, ndaj së cilës ishte hapur një padi civile për çështje borxhi. Mësohet se Pojanaku i kishte kërkuar gruas 450 mijë lekë në këmbim të mbylljes së çështjes në fjalë, gjë që është pranuar nga qytetarja, e cila më pas ka vënë në dijeni edhe policinë, çka solli dhe arrestimin e gjyqtarit. Bashkëpunimi i saj me drejtësinë ka sjellë edhe regjistrimin e marrjes së parave nga gjyqtari.
Provë kjo që sipas prokurorisë së Korçës, disponohet me zë dhe figurë. Dhimitër Pojanaku përveçse gjyqtar është edhe poet i njohur në Pogradec, ndërsa pak vite më parë është shpallur edhe “qytetar nderi i këtij qyteti”, por tashmë pas kësaj ngjarje do të përballet me akuzën e “Korrupsionit Pasiv”. Menjëherë pas arrestimit ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. KLD inkurajon Prokurorinë në hetimin e këtij rasti, si dhe shprehet se do të mbështesë dhe do të bashkëpunojë me çdo institucion shtetëror për hetim objektiv ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.