Në përfundim të një inspektimi pesëditor në Gjykatën e Pukës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dorëzoi dje ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, raport-kontrollin për ish-gjyqtarin Shtjefën Lleshi, i cili është gjetur me një sërë shkeljesh në dosjet gjyqësore që ka relatuar, përveç akuzës që ka për skandalin e zbuluar nga emisioni Fiks-Fare për korrupsionin e dyshuar.Në një material të firmosur nga Elvis Çefa, i propozohet ministrit Naço të vijë në mbledhjet e ardhshme të KLD-së me një kërkesë procedimi disiplinor ndaj Lleshit, i cili është me masën e gjykatës “arrest shtëpie”, pasi u lirua me zbutje mase nga Gjykata e Apelit Tiranë javën e parë të janarit. Inspektorët mësohet se kanë konstatuar shkelje të natyrave proceduriale, si në lirimin e personave të dënuar vetëm me raportet mjekësore, vonesat në zbardhjen e vendimeve dhe zvarritje të proceseve gjyqësore në mbi pesë raste. Shtjefen Lleshi aktualisht ndodhet i pezulluar nga detyra, me një vendim unanim KLD-së, menjëherë pas transmetimit të videos, ashtu sikurse prokurori Pëllumb Prençi, sekretarja dhe kancelarja e gjykatës, një shofer dhe dy avokatë.