Kontrolli i Lartë i Shtetit analizoi dje mediatikisht dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit për vitin që lamë pas. Në të vërtetë ky institucion kohë pas kohe ka publikuar abuzimet që janë konstatuar, madje janë çuar shumë çështje për kallëzim penal, por deri tani nuk kemi parë asnjë nga abuzuesit të ndëshkuar për dëmin e kryer. Dhe dëmi i shkaktuar është në shifra të frikshme, e kur më tepër janë taksat e shqiptarëve mbi të cilat është abuzuar. Asnjë përgjegjës, vetëm shkelës dhe abuzues, asnjë i dënuar veç gropës së thelluar në buxhet. Dhe përfitimi i një administrimi të mirë, do të kishte sjellë një proces zinxhir në taksat e shtetit dhe për vitin në të cilin kemi hyrë. Fjala vjen nuk do të ishte e nevojshme të kishte një rritje të taksës së qarkullimit për karburantet. Ose mund të thuhet se 4 për qind mund të jetë përfitimi nga kjo taksë, aq sa është abuzimi i dy viteve më parë. Fondi do të ishte djegur po të mos ishte përdorur, dhe sërish taksa për karburantet mund të ishte rritur. Po pse fjala vjen nuk mund të ngrihej me këto para një kampus universitar, pasi kaq duhet për ta bërë atë, apo pse të mos ishte përdorur ky fond për shëndetësinë? Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, ka abuzues, shpërdorues me paratë e taksapaguesve. Kjo thuhet madje dhe në prani të Prokurorit të Përgjithshëm e Presidentit të Republikës, por asnjë i ndëshkuar për këto abuzime të rënda, thjesht disa çështje në ndjekje dhe të gjithë janë të lirë.
Çfarë analizoi dje KLSH?
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një dëm ekonomik në financat publike në masën 15.1 miliardë lekë, për vitin 2013, nga 164 auditime të kryera. “Nga auditimet e ushtruara përgjatë vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare të vlerësuara si dëm ekonomik në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera, në nivelin 15.1 miliard lekë, duke kërkuar shpërblimin e dëmit”, deklaroi Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj në analizën vjetore të punës. Pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar, tha ai, është nga shitja e pasurisë dhe dhënia me qira e pasurive publike me koncension. Krahas zbulimeve me dëm ekonomik KLSH, sipas Leskajt, ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituar, në nivelin e 4.4 miliard lekëve ose 2.5 miliard lekë më shumë se në vitin 2012. Nga analiza e të dhënave në vitin 2013, KLSH ka rekomanduar më shumë përmirësime ligjore se sa masa organizative, duke qenë se impakti i një përmirësimi ligjor është më i prekshëm. KLSH ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese e ligjore, u shpreh Leskaj, “Së pari ka kërkuar vendosjen e kufirit të borxhit publik në Kushtetutë, propozim ky i bërë nga ana e KLSH-së prej 2 vitesh rresht, duke rekomanduar që ministria e Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës për përgatitjen e paraqitjen e një nisme ligjore për fiksimin në Kushtetutë të treguesit të borxhit publik në raport me GDP-në”, deklaroi Leskaj. Së dyti, tha Leskaj, nga auditimi i performancës për ndarjen administrative të kryer në muajin shkurt – tetor 2013, KLSH ka rekomanduar ndërhyrjen në ligjin për pushtetin vendor, për reduktimin e ndjeshëm të numrit të bashkive e komunave, për një shërbim më cilësor ndaj komunitetit. Por e gjitha ka mbetur një rekomandim dhe konstatim, të paktën urojmë të jetë një mundësi për mospërsëritje abuzive të tilla, e të shohim të ndëshkuar ata njerëz që kanë abuzuar me taksat tona.
Konstatimet në shifra të KLSH-së
- Për vitin 2013, KLSH ka kryer 164 auditime, ose 11 përqind më shumë, nga të cilat 153 auditime janë përfunduar dhe evaduar plotësisht, ndërsa 11 janë në fazën e evadimit.
- Nga auditimet e vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin 15.1 miliardë lekë (ose rreth 108 milionë euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në 99.9 përqind të tyre.
- Dëmi ekonomik i zbuluar në të dy vitet 2012 dhe 2013, është rreth dy herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në tre vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku. Kallëzimet penale vetëm për vitin 2013 janë dy herë më shumë se të tre vitet 2009, 2010 dhe 2011 të marra së bashku.
- Pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar është nga shitja e pasurisë dhe dhënia e objekteve me qira dhe e pasurive publike me koncesion. Është konstatuar shkelje e disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në nivelin e 4,4 miliardë lekëve (mbi 31 milionë euro), ose 2.5 miliardë lekë më shumë nga shkeljet e konstatuara gjatë vitit 2012.
Shume nga inspektoret jane pjese e mbulimit te demit te shkaktuar duke marre pjesen e tyre. Ne rast se s’i darovit kur nuk ke shkelje, te nxjerrin me shkelje. KLSH eshte strehe e militanteve pd-ist.
Rogat e inspektoreve te KLSH dhe vete titullarit duhet te varen ndjeshem nga % e demit te grumbulluar.
Punonjesit e administrates shteterore nuk duhet te kene paga fikse