Vështirë të gjykohen e aq më pak të nxirret një mesatare e vlerësimi për aftësitë e ndryshme të trurit. Ndoshta koeficientit të inteligjencës (IQ) i është dhënë një rëndësi e pamerituar, duke qenë se studimi i fundit dhe më i madhi mbi intelektin njerëzor ka treguar se IQ nuk ka baza vërtetësie
I jeni nënshtruar ndonjëherë një testi që mat koeficientin tuaj intelektual dhe përfundimet kanë qenë zhgënjyese? Mos u demoralizoni! “Koeficienti i inteligjencës (IQ) është një legjendë që nuk ka baza konkrete”. Kështu është shprehur Adrian Ouen, drejtuesi i Institutit Perëndimor të Trurit dhe Mendjes në Kanada, i cili ka publikuar në revistën “Neuron”, një studim pikërisht mbi IQ-në. Ouen i ka vënë artikullit një titull sugjestiv “Fraksionimi i inteligjencës njerëzore”, duke e ‘thërrmuar’ kështu mitin e koeficientit të inteligjencës nëpërmjet studimit më të gjerë që është kryer ndonjëherë mbi këtë argument.
Studim ndërkombëtar
Në studim janë përfshirë më shumë se 100 mijë njerëz nga e gjithë bota nëpërmjet internetit. Pjesëmarrësit i janë nënshtruar 12 testeve njohëse që hetojnë mbi arsyetimin, kujtesën, aftësinë e planifikimit dhe përqendrimin. Secili prej testeve shoqërohet me një pyetësor shtesë që heton stilin e jetës dhe situatat socioekonomike e familjare të subjekteve.
“Kemi mbetur të befasuar nga numri i madh i pjesëmarrësve në studim. Mendonim se apelit tonë në internet do t’i përgjigjeshin vetëm disa qindra persona, por mijëra të tillë morën pjesë dhe ajo që ka rëndësi është se i përkasin moshave e niveleve kulturore të ndryshme, si dhe janë nga shumë vende të botës”, thotë Ouen. Natyrisht që numri i madh i pjesëmarrësve i jep ‘besueshmëri’ më të fortë përfundimeve të arritura.
“Asnjë test i veçuar, e aq më pak IQ-ja, nuk mund të shpjegojë të gjitha aftësitë e intelektit të një njeriu. Pasi kemi hulumtuar në një numër të madh aftësish njohëse, mund të themi se variacionet e shfaqjes së tyre janë në varësi të tre faktorëve të ndryshëm: kujtesa afatshkurtër, arsyetimi dhe aftësia e komunikimit. Të matësh inteligjencën me një test të vetëm, çfarëdolloj që të jetë ai, mund të japë përfundime të pavërteta.
Ndikimi në tru
Adrian Ouen, disa prej subjekteve të përfshira në studim, i nënshtroi ndikimit të rezonancës magnetike funksionale, për të nxjerrë në pah dallimet e aftësive njohëse, të cilat lokalizohen në disa qarqe cerebrale. Duke pasur në dispozicion të dhëna të shumta, ishte e mundur të vlerësohej se si disa elemente si mosha, gjinia dhe sjellje të caktuara si puna në kompjuter mund të ndikojnë në funksionimin e trurit. Kështu plakja ndikon në arsyetim dhe në kujtesën afatshkurtër, tymi i duhanit ndikon negativisht në aftësinë e të folurit, ndërsa ankthi dëmton ‘vetëm’ kujtesën afatshkurtër. “Të ashtuquajturat taktika të “Brain training” (Stërvitjes së trurit) rezulton se nuk kanë ndikim mbi përmirësimin e funksionit të trurit, ndërsa videolojërat duket se favorizojnë arsyetimin dhe kujtesën afatshkurtër”, specifikon Ouen.
Matematika
Një tjetër studim konfirmon se koeficienti i inteligjencës është mbivlerësuar. Kou Muraiama, psikolog i në universitetin e Monakos, ka treguar se të jesh i zoti në matematikë nuk varet aspak nga IQ-ja, por nga fakti se sa të motivuar jeni për të mësuar mbi numrat dhe ekuacionet. Muraiama ka zhvilluar një studim mbi 3500 fëmijë të ciklit fillor, duke zbuluar se për qëllimet matematikore, inteligjenca ka rëndësi, por vetëm në fillim, kur mësohen shprehitë e para. Duke vijuar më tutje ajo që nevojitet për të arritur rezultate të mira, është motivimi i fortë, i shoqëruar me vetëvlerësim dhe shprehi të të studiuarit, të cilat duhet të nxiten nga mësuesit.
“Motivimi i fëmijëve që të interesohen për lëndët shkollore është një nga metodat më të mira, për t’i shtyrë që të përparojnë në studime”, thotë studiuesi. Pa marrë parasysh përgënjeshtrimet e tjera mbi koeficientin e inteligjencës, për ata që bëjnë pjesë në MENSA (‘klubin e gjenive’, që përbëjnë gjithsej 2% e popullsisë) IQ-ja vlen, por jo edhe aq shumë.
Somario: Të jesh i zoti në matematikë nuk varet aspak nga IQ-ja, por nga fakti se sa të motivuar jeni për të mësuar mbi numrat dhe ekuacionet
me pelqen shume ky informacion.