Një Udhëzim i datës 5 Mars 2014, i Ministrave të Drejtësisë dhe Financave për mënyrën dhe kriteret e operimit të shoqërive private të përmbarimit ka sjellë një reagim të fortë të disa prej këtyre kompanive. Udhëzimi, së bashku e më pas reagimi e këtyre kompanive janë pasqyruar gjerësisht në dy numrat e fundit të DITA-s. Po çfarë është duke ndodhur? A është duke u asgjësuar shërbimi përmbarimor privat, siç disa prej përmbaruesve pretendojnë? A janë bankat duke kërkuar që të vendosin nën hyqmin e tyre shërbimin e përmbarimit? Përse u ndryshua metodologjia e marrëdhënies bankë-përmbarues? A është ulur marzhi i fitimit të përmbaruesve?
Për të kuptuar se çfarë realisht ka ndodhur dhe ku synon skema e re që imponon ky udhëzim, gazeta DITA ka konsultuar një numër të gjerë përfaqësuesish të kompanive të përmbarimit, drejtues të sektorit bankar të departamenteve juridike dhe atyre të riskut dhe ekspertë të studiove të vlerësimit. Janë të gjithë aktorë në këtë skemë. E që për hir të së vërtetës nuk bëhet fjalë për një skemë të thjeshtë, por për një skemë të lidhur me një nga problemet më delikate që shfaq sot ekonomia shqiptare: Kreditë e Këqija. Këto të fundit vlerësohen zyrtarisht se kanë arritur në shifrën 24.4 për qind, por shumë ekspertë vlerësojnë se në realitet kreditë e këqija kanë kapur një nivel më të lartë, të paktën mbi 35.7 për qind.
Sistemi zinxhir dhe hallka e gjykatës
Akumulimi i kredive të këqija është një proces që përfshin shumë hallka. Ky sistem prej vitesh është kthyer në problem dhe bankat kishin hasur vështirësi në ekzekutimin e kolateraleve dhe për shkak të komplikimeve që lindnin mes hallkave pasuri të tëra mbaheshin të ngrira, të bllokuara, duke dhënë efekt direkt mbi sistemin bankar dhe atë ekonomik në tërësi. Por le t’i marrim me radhë.
Hallkat bazike të procesit të trajtimit të kredive të këqija përbëhen nga 6 aktorë të rëndësishëm:
(Debitori)—(Kreditori,Banka-)-(Përmbarimi)—(Gjykata)-(Studiot e Vlerësimit të Pasurisë)—(Ankandi).
Të gjashtë këta aktorë përveç rëndësisë në proces, reflektojnë dhe problematikën e tyre, apo dhe implikimet e tyre, ku në varësi të situatave të ndryshme, kombinoheshin me njëri – tjetrin (sipas rastit) për të krijuar skema spekulative dhe përfitime ndërsa në proces ishin ekzekutimet e kolateraleve.
Për tri vite me radhë, hallka më problematike për bankat dhe sistemin në tërësi ishin gjykatat. Po çfarë ndodhte? Supozojmë se një debitor X i detyrohet bankës shlyerjen e një shume prej 1 milionë euro dhe për shkak të vonesave në pagesën e kësteve banka vendos t’i ekzekutojë kolateralin, pengun. Banka angazhonte përmbarimin, ndërsa përmbarimi nga ana e tij, në bazë të një marrëdhënie të përcaktuar në ligj me Bankën (marrëdhënie që e trajton ekskluzivisht udhëzimi i dy ministrave) ia niste punës. Pasi përmbarimi kryente ekzekutimin e kolateralit, debitori, e atakonte në gjykatë procesin.
Ndonëse kontrata që debitori kishte me Bankën ishte “titull ekzekutiv” u vu re se gjykatat nisën të bllokonin dhe të pezullonin këto kontrata dhe i bënin “nul” veprimet e Bankës dhe Përmbaruesve. Këto vendime gjyqësore të pezullimit sillnin kosto për Bankat por edhe avantazhe të mëdha për debitorët, pasi pezullimi jo vetëm vononte ekzekutimin e kolateralit, por pezullonte dhe kontratën në tërësi dhe debitori shmangte pagesat e kësteve dhe interesat mujore në Bankë gjatë kohës që procesi mbahej i pezulluar.
Nëse kishe për të paguar 70 mijë euro këst në muaj, përse të mos i jepje nën dorë gjykatësit 20 mijë dhe jo vetëm që nuk të bllokohej prona, por dilje i fituar me 50 mijë euro çdo muaj dhe gjyqi zvarritej pa fund. Bllokimi që vinte nga gjykatat dhe korrupsioni në to, bëri që e gjithë skema e ekzekutimit të kolateraleve të pësonte stanjacion. Ndaj dhe, bankat nisën një lobim të fortë pranë qeverisë, për të reduktuar arbitraritetin e gjykatësve me një ligj të posaçëm.
Ky ligj rregullues, hyri në fuqi më datën 1 Shtator 2013 dhe që prej kësaj dite, gjykatat nuk përbënin më problem në skemën e ekzekutimit të kolateraleve dhe shmangies së kredive të këqija. Por nëse gjykatat ishin “delja e zezë”, pas shmangies së vendimeve vezulluese të dhëna nga to, skema nuk ishte disiplinuar tërësisht, pasi në lojë kishin mbetur edhe “dele gri” dhe kombinacione të tjera që sillnin spekulim, abuzim vonesa dhe humbje. Posaçërisht problematik mbetej trinomi: (Bankë)–(Përmbarues)–(Studio Vlerësuese). Disiplinimin e kësaj marrëdhënie ka pasur për qëllim dhe ky udhëzim i fundit që ka shkaktuar kaq shumë debate dhe pasiguri.
Një udhëzim dhe dy ndërhyrje…
Udhëzimi i ri i shumë-debatuar i ministrive të Financave dhe të Drejtësisë, ndërhynte duke bërë një rikonfigurim të marrëdhënies mes Bankave dhe Përmbaruesve. Dy janë pikat nevralgjike të kësaj ndërhyrje:
1. Eleminimi i paradhënies për hakën e punës së përmbaruesit dhe futja e parimit të “Pagesës mbi suksesin”
2. Risistemimi i barrës së pagesës, duke përcaktuar se sa për qind të hakës së punës së përmbaruesit duhet ta paguajë Banka dhe sa për qind Debitori.
Ndërhyrja 1. Le ti marrim të dyja në shqyrtim duke nisur me futjen e parimit të “Pagesës mbi suksesin”.
Për të kuptuar efektin e pritshëm të udhëzimit të ri, duhet mbajtur parasysh se si funksiononte skema deri më sot, ndaj dhe për ta ilustruar skemën po japim një shembull të thjeshtë hipotetik: Supozojmë se një bankë vendos të ekzekutonte një kolateral të lënë peng nga debitori. Banka thërret përmbaruesin dhe ky i fundit nis procedurën. Përmbaruesi merr në dorë raportin e vlerësimit të hartuar më parë për këtë pronë dhe nëse supozojmë se prona ishte vlerësuar 1 milionë euro, atëherë Banka kishte detyrimin e menjëhershëm që të paguante përmbaruesin 21 mijë euro.
Këto të ardhura përmbaruesi i merrte paradhënie, direkt në dorë. Më pas, pasi kryente marrjen e pronës, përmbaruesi, hapte procedurat e ankandit. Pikërisht në këtë procedurë u shfaqën dhe problemet. Duke qenë se përmbaruesit e kishin marrë pjesën e tyre në paradhënie, ata ishin të pa interesuar mbi ecurinë e ankandit, madje shpesh, nëpërmjet spekulimeve që bëheshin me vlerat edhe nga ekspertët vlerësues, ankandet bëheshin krejt fiktive dhe ndodhte që kolateralet e lëna peng shpesh të shiteshin nën vlerën reale, duke krijuar një skemë abuzive. Skemë kjo, që Bankës doemos i sillte humbje dhe kosto.
Me udhëzimin e ri, eliminohet paradhënia për hakën e punës së Përmbaruesve, tashmë Banka i paguan si paradhënie vetëm kostot e shpenzimeve kompanive përmbaruese, por fitimin këto kompani do e vjelin vetëm pas përfundimit të ankandeve në bazë të suksesit që do ketë shitja e pronës në ankand. Pra, do të paguhen në bazë të vlerës që do i japë tregu pronës dhe jo në bazë të një çmimi të fiksuar përpara se prona të dalë në ankand. Në këtë mënyrë, ndryshe nga më parë, përmbaruesit jo vetëm që nuk do të jenë të interesuar që të spekulojnë me ankandet e shitjes së kolateraleve, por do të synojnë që t’i shesin këto prona me çmim sa më të lartë në ankand dhe do synojnë vlerësimin e tyre me një çmim tregu, pasi sa më i lartë të jetë çmimi i shitjes në ankand, aq më e madhe do të jetë dhe përqindja që përmbaruesi do fusë në xhep.
Nga ana tjetër, sistemi i paradhënies së fitimit të përmbaruesit i cili ka funksionuar deri më sot, kishte implikuar në skemën e spekulimit edhe drejtues bankash. Kjo ka ndodhur pasi për prona dhe kolaterale të mëdha pajtimi i përmbaruesve u shndërrua në kontratë ekskluzive ku shumë kollaj mund të fitoje miliona. Posaçërisht të implikuara në këtë skemë spekulative u konstatuan drejtoritë juridike të bankave. Ato firmosnin kontratat me kompanitë e “preferuara” të përmbarimit, u disbursonin fitimin në paradhënie dhe më pas, milionat e paradhënies i ndanin së bashku nën dorë.
Me skemën që imponon udhëzimi i ri, drejtoritë juridike në sektorin bankar nuk bëjnë dot më favorizimine spekulative të shoqërive përmbaruese, pasi këto kompani do të paguhen në bazë të vlerës që do sjellë ankandi dhe jo në bazë të kontratës ekskluzive të paradhënies që ua jepte drejtoria juridike. Pra do të jetë tregu ai që përcakton fitimet për përmbaruesit dhe jo konjuktura e klaneve të interesuara brenda bankave.
Ndërhyrja 2. Në udhëzimin e ri ekspertët janë të mendimit se thjesht po disiplinohet dhe raporti i ndarjes së barrës së pagesës për hakën e punës së Përmbaruesit mes Bankës dhe Debitorit. Për shembull, nëse një Bankë për një pronë që shitet në ankand 1 milionë euro, cakton një hakë pune prej 21 mijë euro për Përmbaruesin.
Debitori ka detyrimin që për këtë 21 mijë euro hakë pune dhe fitim të Përmbaruesit të paguajë vetëm 2 mijë e 200 euro, ndërsa pjesën tjetër e ka detyrim vetë Banka e cila vjel dhe fitimin nga ankandi. Në ndryshim nga sa pretendohet prej disa përfaqësuesve të kompanive të Përmbarimit se udhëzimi i ri u ka ulur atyre marzhin e fitimit atyre, rezulton se udhëzimi thjesht sa ka fiksuar nivelin e barrës së pagesës nga debitori, pasi vetë kompanitë përmbaruese me udhëzimin e ri rezultojnë krejtësisht të lira që të negociojnë me Bankat për të përcaktuar përqindjen e tyre të fitimit. Mund të punojnë edhe 50/50.
Pra për pronën që shitej 1 milionë euro, Banka është e lirë ta paguajë përmbaruesin dhe 500 mijë euro, por ama Debitori sërish do e ketë detyrimin 2 mijë e 200 euro. Në këtë kuptim, udhëzimi ka çliruar tregu nga skema e çmimit të fiksuar dhe kompanitë e Përmbarimit do të duhet të triumfojnë dhe të garojnë në treg tashmë dhe e kanë vetë në dorë për t’ia rritur ose ulur çmimin vetes. Është tregu që do vendosë dhe jo çmimet e fiksuara apo favorizimet ekskluzive.
* * *
Debati në DITA pas publikimit të Udhëzimit të ri
Në numrin e datës 19 Mars 2014, gazeta DITA publikoi një udhëzim të bashkë firmosur nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe ai i Financave Shkëlqim Cani. Udhëzimi kryente një ndërhyrje strategjike në tregun problematik të kredive të këqija. Ky udhëzim rikonfiguronte marrëdhënien mes bankave dhe kompanive përmbaruese dhe realizonte dy ndërhyrje të rëndësishme; duke shmangur paradhënien e përmbaruesve nga banka dhe duke risistemuar porcionet e kësaj pagese mes Debitorit dhe Bankës. Menjëherë pas publikimit, një grup përmbaruesish privatë sollën një material të gjatë nëpërmjet të cilit e kundërshtonin fort këtë Udhëzim. DITA e botoi në numrin e djeshëm këtë material, të plotë, duke siguruar lexuesit se në vijim do të sillte të tjera të dhëna mbi këtë skemë, përtej pretendimeve të një spektri të posaçëm interesi. Në fakt, Udhëzimi i ri është një iniciativë e vetë bankave por që në votimin që u bë mes 16 bankave përpara se udhëzimi të hynte në fuqi, 10 prej bankave e kundërshtuan dhe vetëm 6 prej tyre e votuan. Arsyet që kanë parashtruar bankat që bënë kundërshtimin, nuk kishin të bënin me atakimin e këtij udhëzimi në parim, por me sugjerimin e disa teknikaliteteve. Për shembull, dy banka propozuan që të shmangej paradhënia e plotë për Përmbaruesit dhe kërkuan që përmbaruesit të merrnin si paradhënie vetëm 40 për qind dhe pjesën tjetër në vijim dhe në fund të procesit. Ky propozim nuk u pranua nga pala shtetërore. Nga ana tjetër kompanitë e Përmbarimit aktualisht shfaqen të paqarta për kontratën “tip” që duhet të përdorin me bankat, ç’ka sjellë nevojën e detajimit sa më të shpejtë të këtyre elementëve në ditët e ardhshme.
Por vetë përmbaruesit, në biseda konfidenciale shprehen se udhëzimi i ri, shmang dhe vetë “kompanitë parazitare” mes përmbaruesve dhe i vë ata përballë sfidës për të triumfuar në treg falë profesionalizmit dhe jo favorizimit.
Bravo per keto detaje qe si analist ekonomik me mesuan shume gjera ; grand journalisme 🙂 . sinqerisht bravo; kolegu gb