Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës është shprehur sot se dy vjet pas vrasjeve të 21 janarit, përgjegjësi nuk kanë dhënë ende përgjegjësi para drejtësisë. Nils Muiznieks ka kërkuar shpejtimin e procesit të zbardhjes së të vërtetës për ngjarjen tragjike të janarit 2011.
“Kanë kaluar dy vjet pas ngjarjeve të dhimbshme në Tiranë ku katër protestues u vranë dhe një numër policësh e protestuesish të tjerë u plagosën.
Mbetem tejet i shqetësuar prej faktit që disa nga personat përgjegjës për këto akte të dhunshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë ende llogari para drejtësisë.
Nxis qeverinë shqiptare të vijojë me përfundimin e një hetimi tërësor, të paanshëm dhe të besueshëm dhe një proces të rregullt gjyqësor, për të dhënë kësisoj një sinjal të qartë që pandëshkueshmëria për shkeljet serioze të të drejtave e njeriut është e papranueshme,” thuhet në deklaratën e komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Nils Muiznieks.