Komisioni i Jashtëm do të marrë në shqyrtim rezolutën çame. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së sotme, ku është vendosur që relatorë të kësaj çështjeje të jenë deputetët Fatbardh Kadilli dhe Qemal Minxhozi, përkatësisht nga PD-ja dhe PS-ja.
Rezoluta do të diskutohet në komision menjëherë sapo relacionet e përpiluara nga dy relatorët të jenë gati.
Rezoluta çame është dorëzuar në Kuvend në fund të dhjetorit, nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në të parashihet njohja e pronave të popullsisë çame nga Greqia si dhe heqja e ligjit të luftës.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Politikën e Jashtme u kërkua gjithashtu edhe thirrja e ministrit Edmond Panariti në një seancë dëgjimore, në lidhje me zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës. Kërkesa u bë nga deputetja socialiste, Arta Dade. Kërkesa e ish-ministres së Jashtme u pranua nga kryetari i komisionit, Fatos Beja.