Një përfaqësues i BE-së për mjedisin do të jetë pjesë e grupit kombëtar këshillimor për menaxhimin e mbetjeve. Vendimi është marrë në mbledhjen e organizuar gjatë ditës së djeshme nga Komiteti Ndërministror për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, ku u diskutua mbi rekomandimet e nevojshme për politika efikase që duhen ndërmarrë në zgjidhjen e ngërçit të krijuar prej vitesh mbi menaxhimin e mbetjeve. Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe mbi draft-planin konkret të punës që komiteti duhet të vërë në zbatim gjatë këtij viti. Diskutimet ngritën nevojën e rishikimit të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve, kristalizimin e politikave dhe skemave të integruara të menaxhimit të mbetjeve në rang kombëtar, përcaktimin e qartë të aktorëve që do merren me administrimin e mbetjeve, duke marrë parasysh përvojën e deritanishme. Një përpjekje tjetër ishte dhe vendimi për ngritjen e kapaciteteve pranë çdo ministrie që administron mbetje, me strukturat përkatëse. Më tej në mbledhje u trajtua edhe krijimi i një Enti Rregullator të Mbetjeve (ose pranë ERU), për përcaktimin e kostos dhe tarifimit të menaxhimit të mbetjeve, si një nga problemet shqetësuese qe ka sot pushteti vendor dhe që nuk garanton skema të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve. Ngritja e një Fondi Mjedisor u pranua ne parim dhe u la qe modalitetet për funksionimin e tij të shikohen duke filluar nga hartimi i një VKM-je, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Ky fond do të funksionojë, si një instrument financiar që mbledh fonde për projekte mjedisore, si nga burime buxhetore, dhe ato private e donacione, me qëllim primar programimin sektorial dhe jo të copëzuar.