Komuna Qendër në Fier ka reaguar në lidhje me një njoftim të policisë vendore të datës 17 janar të këtij viti, se përgjegjësja e Kadastrës, Mimoza Spiro, është nën procedim penal në gjendje të lirë për “falsifikim të dokumenteve”, bashkë me kryeplakun e fshatit Drizë. Kryekomunari Harilla Mile shprehet në deklarimin e tij për gazetën DITA, se “në këtë lajm nuk ka aspak vërtetësi”. Madje sipas vërtetimeve të lëshuara nga Prokuroria dhe Gjykata e Fierit, zyrtarja Spiro nuk rezulton që të ketë procedim penal, apo të ketë nisur një i tillë ndaj saj. Por policia vendore nga ana tjetër, njoftoi se më 17 janar ka shpërndarë komunikatën zyrtare, ku thuhet se ka dërguar materialet prokurorisë për këtë rast, për procedim penal në gjendje të lirë. Policia thotë se ky procedim është bërë pa shoqërim apo ndalim të dy personave të dyshuar.