Ndërmjetësuesi i OKB-se, Lakdar Brahimi zhvilloi të enjten bisedime të ndara dhe me dyer të mbyllura me delegacionet kundërshtare siriane, një proces parapërgatitor ndaj ballafaqimit që do të kenë të premten në Gjenevë, përfaqësuesit e presidentit sirian dhe ata të opozitës së bashkuar. Shpresat për arritjen e një marrëveshjeje ngelen të pakta duke parë tonet e përdorura në ditën e parë të konferencës
Konferenca e Paqes mbi Sirinë kaloi ditën e parë mes përballjeve të ashpra mbi të ardhmen e Bashar al Asad. Kur delegatët e thuajse 40 vendeve u ulën në tavolinën e bisedimeve në Montreux të Zvicrës të mërkurën dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov prezantuan një platformë dialogu, ata gjithashtu pranuan se “bisedimet midis palëve nuk do të jenë as të thjeshta e as të shpejta, por janë një mundësi për të arritur paqen”.
Roli që i është caktuar Lavrovit, i cili mbajti fjalën e tij para John Kerry-t, i njeh Moskës meritën se ka kontribuuar më shumë se të tjerët, për të bashkuar palët e luftës civile të nisur para tre vitesh.
Por, kur i vjen radha ministrit të Jashtëm sirian, Valid Muallim, bëhet e dukshme se Damasku nuk e merr ftesën ruse për dialog konstruktiv. “Revolucioni sirian është vepër e terroristëve kasapë, të financuar nga sheikët. Do të ndeshemi me çdo kusht sepse Siria nuk mund të drejtohet nga tradhtarë në shërbim të armikut”, thotë Muallim. Pak më vonë, ministri i Informacionit, Omran al Zoabi, shton: “Asad nuk do ta lerë pushtetin, është presidenti ynë dhe i tillë do të mbetët”. Kur Ban Ki Mun vendos për një moment ndërprerjeje, Mullaim i drejtohet me ton përbuzës: “Unë jetoj në Siri, ju në Nju Jork, më lejoni të flas atëherë”. Kaq mjafton për të kuptuar qasjen e Damaskut zyrtar ndaj kësaj konference.
Replika nuk mungon nga Ahmed Jabra, lideri i koalicionit të rebelëve, i cili fillimisht hezitoi të ulej në tavolinën e bisedimeve: “Ushtria jonë ka liruar shumë rajone, pas 200 mijë të vdekurve dhe 9 milionë refugjatëve. Nevojitet një zgjidhje politike për të shpëtuar vendin tonë, – thotë Jabra,- por nuk kemi një bashkëbisedues. Koha është esenciale, sepse në Siri koha është gjak”.
Pastaj ndërhyn Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry: “Asad nuk mund të jetë pjesë e qeverisë së tranzicionit. Është ai magneti i terrorizmit dhe është po ai që iu përgjigj me dhunë protestave të para paqësore në vitin 2011”.
Nga ana tjetër, Irani nuk mundi të përsëriste mbështetjen e tij ndaj Asadit. Vetëm pak ditë para nisjes së konferencës, OKB anuloi ftesën ndaj këtij shteti, për shkak të mostërheqjes së deklaratave të përfaqësuesve iranianë se “nuk mund të ketë asnjë marrëveshje paqësore pa Asadin si lider të Sirisë”. Për ministren e Jashtme italiane, Emma Bonino, “zgjidhja e krizës është përgjegjësi e të gjithëve, edhe e Iranit”. Ndërsa thelbi i diskutimit të ministri saudit Faisal ishte se: “Teherani duhet të tërheqë ushtarët dhe Hezbollahun nga Siria”. I dërguari OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, u takua të enjten me dy delegacionet kundërshtare siriane për të rënë dakord me modalitetet e bisedimeve të parashikuara në Gjenevë të premten./D.Gjuzi