Tensione midis klasave, pabarazi dhe rritje çmimesh. Nga Rio de Zhaneiro në San Paolo mbërrijnë në internet imazhet e masakrës së “banditëve”
Vetëm pak muaj nga nisja e Botërorit të futbollit, Brazili duket i përfshirë nga ndjesia e pasigurisë në rritje, ku fotografitë dhe videot e delirit të brutalitetit, rrezikojnë të kompromentojnë imazhin e vendit. Tensioneve midis klasave sociale i shtohet një rritje jo gjithnjë e justifikuar e çmimit të mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme.
Fotoja me fytyrën e përgjakur të një polici të rrahur nga manifestuesit dhe ajo e një gazetari të plagosur nga një plumb gome qershorin e kaluar, u bënë simbol i një stine protestash që vijon ende sot. Dy muaj më vonë një seri impresionuese imazhesh mbërthenin një grup të burgosurish të varur publikisht nga anëtarët e një bande rivale, në oborrin e një burgu të Pedrinhas, në rajonin Maranhao. Reagime aq brutale nxitën shumë të flisnin për një Brazil të infektuar nga një valë të re aparteidi.
Etapa e fundit e dallgës së tmerrit arriti gjatë këtyre ditëve me publikimin e një fotoje që tregon një djalë të zhveshur e të rrahur barbarisht, me shikim të përhumbur dhe të mbërthyer pas një shtylle me një zinxhir në qafë.
Një skenë që ka shkaktuar shumë reagime me indinjatë brenda, por për çudi edhe me miratim. Imazhi ka sjellë në kujtesë, kohën e skllavërisë (të hequr nga Brazili në vitin 1888) dhe atë të diktaturës, të arrestimeve dhe torturave. Adoleshentit të lidhur pas shtyllës nuk i dihet as emri, ndërsa policia është limituar të thotë se bëhet fjalë për një keqbërës me tre precedentë për vjedhje.
Ai mbeti në atë gjendje me orë të tëra, nën vështrimin indiferent të kalimtarëve. Askush nuk lëvizi një gisht. Në fund, një zonjë 66-vjeçare i doli në krah, duke njoftuar ndihmën e shpejtë që e liroi. Por, gjesti i saj nuk u mirëprit në rrjetet sociale, ku shumë të solidarizuar mes tyre vollën një lumë fyerjesh mbi gruan e cila liroi këtë “bandit” të vogël.
Vetëm publikimi i fotos së tmerrshme i ka nxitur kronistët të hetojnë mbi të kaluarën e tij. U zbulua se jeton dy hapa larg lagjes “Flamengo”, të banuar nga familje të kamura dhe e famshme për shkëlqimin e ndërtesave të saj aristokratike, të gjitha me pamje nga deti. Parku i zonës është frekuentuar nga qindra sportistë për ushtrime dhe vrapime mëngjesore. Por, me kalimin e kohës u kthye edhe në një objektiv të privilegjuar të bandave që sulmonin dhe grabisnin në ato zona. Vetëm gjatë muajit të fundit sulmet janë rritur me 60% dhe parku është shndërruar bashkë me pjesën tjetër të lagjes në një zonë, ku është e pamundur të shëtisësh, sidomos në disa orë të mbrëmjes.
Dëshpërimi për dhunën në metropolet e mëdha të Brazilit nuk ka marrë fund ndonjëherë dhe me afrimin e Botërorit të futbollit është bërë edhe më i madh. Por shpirtrat e brazilianëve janë të ndarë. Agresionet, pasuria e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, braktisja e shumë zonave të margjinalizuara dhe diferenca e thellë mes grupeve raciale diktojnë ritmet e një Brazili në buzë të vullkanit, gati për të shpërthyer.
Dje vazhduan përleshjet midis mijëra protestuesve dhe policisë. Rritja e çmimit të biletave të transportit shkaktoi një betejë të vërtetë në stacionin qendror të Rios. Disa mijëra persona u rreshtuan në qendrën e madhe hekurudhore dhe pastaj e pushtuan duke shkaktuar panik midis pasagjerëve. Ndërhyri policia me gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe shumë arrestime. Gueriljet e vogla u shpërndanë, por zbarkuan në rrjet ku shfrynë tërbimin e tyre mbi imazhe, tragjikisht të vërteta./D.Gjuzi