Pranimet e reja në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës edhe për këtë vit do të përzgjidhen përmes konkursit, kryerja e të cilit është përcaktuar për në datat 2 dhe 4 shtator. Në një intervistë për gazetën “Dita”, dekani i fakultetit Andrea Maliqari, konfirmon se propozimi i bërë për heqjen e konkursit do të gjejë zbatim gjatë vitit të ardhshëm akademik 2014-2015. Sa i takon konkursit, Maliqari bën me dije se ndryshe nga vitet e mëparshme, për 2013-ën po punohet që testimet e dy fazave të para të zhvillohen brenda së njëjtës ditë, ndërkohë që për të shmangur vlerësimet subjektive është shtuar edhe numri i vlerësuesve.
Si do zhvillohet riorganizimi i studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës ?
Organizimi i studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës mbështetet në programin aktual të studimeve të integruara në 5 vite “Master i Shkencave” në Arkitekturë dhe Urbanistikë, tashmë i konsoliduar. Megjithatë, në mënyrën e organizimit ne jemi duke punuar që, krahas dy Masterave të Shkencave që kemi në Arkitekturë dhe në Urbanistikë, të arrijmë të konceptojmë dhe një “Bachelor” në “Arkitekturë Interieri” dhe “Design”, për të orientuar atë pjesë të vetme që mund të mbeten jashtë nga përzgjedhja që do të bëhet në fund të vitit selektiv. Kjo diktohet gjithashtu edhe nga kërkesat që ka sot tregu për këtë kategori specialistesh. Me konsolidimin e këtij “Bachelor-i” gjatë viteve në vazhdim do të mendojmë për avancimin e mëtejshëm të këtij formimi në nivelin e dytë të “Masterit Profesional” dhe “Masterit Shkencor”. Në këtë formë ne gradualisht synojmë që të ofrojmë drejtime të ndryshme, duke plotësuar kornizën universitare të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës. Kuptohet se ajo që është shumë e rëndësishme në organizimin e fakultetit, ka të bëjë jo vetëm me eksperiencën që ne kemi, pasi jemi i vetmi institucion i arsimit të lartë publik që ofrojmë diploma të këtij niveli, por edhe mbështetja me shkollat partnere, të cilat kanë qenë një mbështetje shumë e rëndësishme për ne, dhe na i kanë bërë më të qarta objektivat që ne duhet të arrijmë. Kjo qoftë në drejtim të përmirësimit të kurrikulave, të përgatitjes së stafit akademik, në kërkimin shkencor, në kontigjentin e studentëve që zgjedhim për hyrjen në shkollë, si dhe të produktit cilësor që në nxjerrim në përfundim të studimeve.
Duke u ndalur tek viti i ri akademik 2013-2014 që nis në tetor, cilat janë risitë që do të shoqërojnë ciklin e ri të pranimeve në këtë fakultet?
Thashë që në fillim se me mënyrën e re të organizmit tashmë fakulteti i ka shumë qartë të përcaktuara objektivat e veta. Brenda këtij kuadri ne tentojmë drejt një fakulteti të hapur që vjen me rritjen e kuotave. Në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, për herë të parë në histori ne pranojmë 245 studentë të rinj gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Kuota këto të ndara në 100 pranime për Urbanistikën dhe 145 për Arkitekturën. Pra, rreth 245 kuota në “Masterin e Shkencave”në arkitekturë dhe në urbanistikë. Kjo është një hapje shumë e madhe, e cila detyrimisht duhet të shoqërohet me një seleksionim të kujdesshëm dhe profesional. Vetë tendenca dhe zhvillimet e sotme të arkitekturës kërkojnë nga universiteti, jo vetëm një numër në rritje të studentëve që duhet të vijojnë studimet e larta në këtë degë, por edhe një nevojë në rritje për kritere të forta sa i takon seleksionimit të kandidatëve që kanë talent dhe aftësi për të vijuar studimet në këto profile. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe propozimi që ne kemi bërë në lidhje me mënyrën e re të pranimit të studentëve (duke eliminuar konkurset), e cila nuk do të fillojë nga zbatimi gjatë këtij viti akademik, por do të nisë nga viti i ardhshëm, pra në 2014-2015. Kjo për shkak të procedurave të aprovimit në nivelet e ministrisë. Këtë vit ne do t’i qëndrojmë përsëri asaj strukture dhe mënyre përzgjedhje, që është tashmë tradita e vjetër e përzgjedhjes së fituesve përmes zhvillimit të konkursit të pranimit. Kjo ka të bëjë me traditën e konkursit në pranim, duke i qëndruar të njëjtave kritere, si dhe gjatë viteve të shkuara. Janë tre seanca testimi. Ajo që do të ndryshojë gjatë këtij viti është përpjekja që ne po bëjmë për të organizuar këto tre seanca në dy ditë. Pra, do të zhvillohen njëherësh dy seancat e para, të mbledhura në një ditë të vetme, në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa seanca e tretë do të zhvillohet në një ditë tjetër, e cila ka të bëjë me vizatimin në natyrë që duhet të bëjë secili kandidat rreth paraqitjes grafike të një objekti të caktuar arkitektonik në perspektivë. Megjithatë kjo gjë nuk do të ndryshojë kohëzgjatjen e testimit, ku për secilën nga seancat, përkatësisht e para dhe e dyta kandidatët do kenë në dispozicion rreth katër orë (dy orë për secilën seancë). Ndërkohë seanca e fundit do jetë katër orë dhe do të zhvillohet në ambientet e jashtme.
Cilat do të jenë kriteret që do të shoqërojnë zhvillimin e konkursit, si dhe procesin e vlerësimit?
Sa i takon përqindjes që ka konkursi në raport me Maturën Shtetërore, 40 për qind i takojnë maturës (me këto procedura merret APRIAL-i). Ndërsa ne na mbetet 60 përqindëshi i pikëve, të cilat ndahen në 20 për secilën nga tre seancat. Sa i takon nivelit të konkursit ne kemi tashmë të afishuar dhe të aprovuar rregulloren së bashku me programin e konkursit. Aktualisht jemi duke marrë masat mbi mënyrat e zhvillimit të konkursit. Duhet të kuptojmë që tek ne ka një specifikë, që të gjithë pedagogët janë specialistë të arkitekturës. Në përgjithësi në procedurat e zhvillimit të konkursit ne nuk përfshijmë pedagogët tanë. Ndarja në dy fakultete na bën që këtë procedurë tua besojmë pedagogëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Ndërsa me atë të vlerësimit do të merren pedagogët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, që janë edhe specialistë të këtyre fushave. Ajo që është e veçantë në mënyrën e vlerësimit është fakti se, duke ditur që vlerësimi ka karakter subjektiv, ne kemi rritur numrin e vlerësuesve. Rritja e numrit të vlerësuesve do të na ndihmojë të pakësojmë dhe të shmangim gabimet gjatë fazave të vlerësimit, në mënyrë të tillë që e drejta e studimit të shkojë për ato kategori që e meritojnë. Kuptohet që të drejtën për të përzgjedhur e kanë ata që janë më specialistët, përkatësisht pedagogët e universitetit, si dhe specialistë të organikave shtetërore, siç mund të jenë Bashkia, Agjencitë Kombëtare të Urbanistikës dhe Arkitekturës, si dhe Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, të cilët kanë qenë gjithmonë të interesuar dhe pjesë e përzgjedhjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret e vendosura për të vijuar studimet në këto degë. Secili prej vlerësuesve në mënyrë elektronike vendos pikët e tij për çdo pjesë të testimit, të cilat në fund mblidhen dhe japin rezultatin final të kandidatit të përfshirë në testim. Natyrisht që do përpiqemi që fazës së tretë t’i lëmë më shumë vlerësues, në mënyrë që të mund të shmangim sa më shumë që të jetë e mundur vlerësimet subjektive që mund të karakterizojnë këtë fazë.
Po sa i takon tarifave të studimit që duhet të derdhin kandidatët që shpallen fitues, çfarë ndryshimesh pritet të ketë, krahasuar me ato të zbatuara në vitet e mëparshme?
Ne akoma nuk kemi marrë tarifat, të paktën këtu tek ne, në fakultet ende nuk kanë mbërritur. Por, ajo që ne kemi kërkuar lidhur me tarifat, është që të ketë një lloj ndryshimi ndërmjet ciklit “Bachelor” dhe atij “Master”. Natyrisht që diploma e masterit të integruar të shkencave në Arkitekturë dhe në Urbanistikë sa i takon tarifës ka qenë e njëjtë me “Bachelor-in”. Duke qenë se programi i studimeve që ofron Fakulteti i Arkitekturës dhe urbanistikës është program i integruar 5 vjeçar “Master i shkencave”, ne kemi kërkuar që në tre vitet e para të ruajmë tarifat e “Bachelor-it”, ndërsa në dy të tjerat ato të nivelit “Master” të cilat do të jenë të krahasueshme me tarifat që aplikohen për të gjitha programet master në universitetet e tjera publike. Megjithatë më parë duhet të njihemi me vendimin se çfarë do të ndodhë me tarifat e studimeve.
Sa i takon kapaciteteve, a janë të mjaftueshme për të përballuar prurjet e reja në rritje?
Rritja e numrit të studentëve ndikon negativisht në shkallen e komoditetit. Megjithatë ne kemi marrë të gjitha masat për t’u organizuar. Kjo vjen edhe si pasojë e riorganizimit të dy fakulteteve, të cilat tashmë funksionojnë brenda të njëjtës godinë. Megjithatë jemi brenda kapaciteteve, nëpërmjet të cilave ne po i paraprijmë kësaj rritje. Nëse mendojmë për cilësi, ky do jetë objektivi ynë kryesor, i cili do të shoqërohet me forma të reja të zhvillimit të procesit mësimor. Ndër to janë edhe atelietë. Tashmë tek ne është bërë traditë që faza përmbyllëse e atelieve të shoqërohet me një ekspozitë, ku vihet në dukje puna e studentëve. Aktualisht po punojmë që shtrirja e këtyre atelieve të mos ketë vetëm shtrirje horizontale, por dhe vertikale. Në këtë formë studentët e vitit të parë do mund të shohin punën e atyre të viteve më lart e kështu me radhë.
Po lidhur me nevojat për stafin akademik ç’mund të themi ?
Sigurisht që kjo është një nga pikat shumë të rëndësishme, them kështu për shkak të nevojave që ne kemi. Po ashtu këto nevoja duhet të jenë të kontrolluara duke ditur që hapja e një vendi pune kërkon edhe një sasi të caktuar në buxhetin e shtetit. Ne kemi përcaktuar të gjitha kërkesat tona drejt një riorganizimi, kemi përcaktuar edhe një plan se si do të veprojmë për të zhvilluar në mënyrë sa më cilësore procesin akademik. Po i japim shumë rëndësi kualifikimit të stafit akademik. Aktualisht ne jemi në vitin e tretë që kemi ngritur shkollën e doktoraturës, e cila është një model nga pikëpamja e cilësisë. Kjo edhe për vetë faktin se kemi pasur edhe mbështetje të rëndësishme nga partnerët, tashmë 12 profesorë te shkollave partnere italiane dhe franceze japin mësim në këtë shkollë. Po ashtu pedagogët e rinj janë përfshirë të gjithë në shkollën e doktoraturës, ku janë në prag të përmbylljes së ciklit. Janë kontingjent i përshtatshëm për të qenë pjesë stafit akademik. Aktualisht ne jemi një fakultet që kemi rreth 40 pedagogë të brendshëm dhe po kaq të ftuar, ndërkohë që ka vend edhe për staf të ri, që do të vijë në ndihmë të prurjeve të reja.
Maturantët janë në prag të plotësimit të formularit A2, në të cilin listojnë degët ku duan të vijojnë studimet e larta në publik. Cila është këshilla juaj për ata që duan të ndjekin profilin e arkitekturës ?
Tashmë arkitektura është e njohur, është një shkencë që kërkon një formim dhe një talent të veçantë. Nëse kandidatët mendojnë se janë të talentuar në këtë fushë ta zgjedhin me besim se do të arrijnë rezultatet më të mira. Shpesh herë mungesa e talentit bëhet pengesë,në ecjen përpara në këtë fushë. Ndaj pjesë e këtij pranimi duhet të jenë më të mirët. Jemi me fat që jemi një nga fakultetet që ofron vërtetë përkushtim dhe cilësi në përzgjedhjet që bën, dhe brezat e studentëve që diplomon.
jam e interesuar per fakultetin e arkitektures , kam talent ne pikture nuk kam kryer kurse po doja te dija cili eshte niveli i provimeve te konkursit dhe sa e veshtire eshte te pranohesh ne kete fakultet?
doja te filloja dhe un kete fakultet per arsye se kam talent ne piktur dhe jam teper ideatore …. vetem doja te beja pyetje … a varet kjo shkolle nga notat ne gjimnaz …dhe a pranohem pa asnje lloj praktike?????