Sëmundjet kronike janë shndërruar në një problem madhor për shëndetin publik në vend. Mungesa e kulturës për kontrolle të hershme tek mjeku specialist ka shtuar numrin e pacientëve që përballen me ndërlikime të rënduara shëndetësore. Shkak për këto ndërlikime bëhet zbulimi i sëmundjes në stadet më të rënduara, kohë në të cilën edhe simptomat bëhen të dukshme. Duke qenë se ndër shtresat më të rrezikuara mbeten moshat e rritura, tashmë Ministria e Shëndetësisë ka gati planin kombëtar që do të ndiqet për kontrollimin bazë të shëndetit tek kjo kategori. Në një intervistë për gazetën “Dita” zëvendësministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj tregon se si do të zbatohet ky plan, si dhe cilat do të jenë shërbimet përkatëse që do të ofrohen falas për këtë kategori pranë qendrave shëndetësore. “Ky kontroll do të përfshijë intervalin moshor 40-65 vjeç, si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë”, nënvizon Rjepaj.
Cilat janë shërbimet që do të përfshihen në paketën e ekzaminimeve falas për këtë kategori?
Paketa e ekzaminimeve parashikohet të përfshijë: konsultë e hollësishme me fokus tek konsumi i duhanit, konsumi i alkoolit, ushqyerja, si dhe aktiviteti fizik. Ekzaminimet fizike do të përfshijnë matjen e presionit të gjakut si dhe BMI (diametri i barkut). Ndërsa në ekzaminim laboratorik do të përfshihen glicemia (hemoglobina e glukozuar), kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride, formula e gjakut, Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, Albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë, si dhe feçe për gjak. Sa i takon shëndetit riprodhues përfshihet kanceri i qafës së mitrës (HPV), si dhe kanceri i gjirit (mamografi). Ndërsa në shëndetin mendor do të fokusohemi në depistimin e depresionit, po ashtu dhe komplikacioneve të tjera që përfshin shëndeti mendor.
Si do të zbatohet ky program, si dhe a do të jenë të gjitha poliklinikat pjesë e këtij programi kontrolli?
Aktualisht, kujdesi parësor në Shqipëri përfshin një rrjet të përbërë nga 421 qendra shëndetësore. Kontrolli mjekësor bazë do të ofrohet në mënyrë stacionare në 250 qendra shëndetësore të përzgjedhura në bazë të: karakteristikave demografike, kapaciteteve infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore në dispozicion në qendrat shëndetësore, nga gjeografia e shpërndarjes së popullatës, si dhe infrastrukturës rrugore. Për të arritur zona më të largëta, do të jenë në dispozicion njësi mobile të marrjes së mostrave dhe depistimit.
Konkretisht, sa pritet të përfitojnë nga ky program, si dhe pse është zgjedhur pikërisht grupmosha 40-65 vjeç?
Popullsia target e programit të kontrollit bazë, bazuara në Census-in 2011-s, është : “Meshkuj 40-65 vjeç rezultojnë rreth 433,572 shtetas, ndërsa femra po të kësaj moshe janë rreth 447,450 shtetase. Pra gjithsej nga ky kontroll do të përfitojnë 881,000 persona në të gjithë vendin. Depistimi i popullatës konsiston në ofrimin e testeve të ndryshme të gjithë individëve të një popullate të caktuar target, të përzgjedhur zakonisht në bazë të moshës. Në Shqipëri është menduar që popullata target për t’u përfshirë në programin e kontrollimit bazë të shëndetit të popullatës të jetë ajo e grup-moshës 40-65 vjeç. Kjo për arsye se individët e kësaj moshe kanë rrezik më të lartë për një sërë gjendjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre.
Si do të veprohet më tej ?
Kur individët hyjnë për herë të parë në moshën minimale për t’u depistuar, atëherë ata lajmërohen që të kryejnë testet depistuese përkatëse në vendet e përcaktuara. Më pas, këta persona lajmërohen periodikisht në mënyrë që të informohen për kohën kur duhet të përsëritin këto teste. Çdo individ që rezulton pozitiv për gjendje shëndetësore të caktuara inkurajohet që t’i nënshtrohet analizave të mëtejshme. Që ky depistim të sjellë përfitime, sëmundjet në fjalë duhet të plotësojnë disa kritere. Kështu, sëmundja duhet të ketë një përhapje të lartë në popullatë, kjo sëmundje mund të dëmtojë shëndetin e individëve nëse nuk identifikohet dhe trajtohet në kohë, sëmundja mund të trajtohet apo parandalohet, testimi duhet të jetë sa më pak invaziv, të kryhet lehtë dhe me kosto të ulët, metodat e testimit duhet të jenë të studiuara shkencërisht dhe të kenë demonstruar që janë të sakta, të besueshme dhe të kenë mundësi që rezultatet e tyre të konfirmohen me metoda të tjera. Gjithashtu, duhet marre miratimi i pacientëve përpara se testi përkatës të aplikohet.
Ç’rol do të ketë kartela e pacientit në mbledhjen e të dhënave për gjendjen shëndetësore të përfituesve të kësaj pakete promocionale shërbimesh?
Aksesi tek informacioni i mirë-dokumentuar, në kohën e duhur dhe i përshtatshëm për rrethanat është çelësi për parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit. Mbledhja, analizimi, përdorimi dhe komunikimi i informacionit shëndetësor është shembulli ideal i shërbimeve të shëndetit publik, sepse i gjithë aktiviteti i shëndetit publik varet nga disponueshmeria e informacionit të saktë, të krahasueshëm, të dobishëm dhe që është i disponueshëm në kohen e duhur. Për këtë arsye, shëndeti publik është fusha ideale për aplikimin e teknologjive të avancuara të informacionit. Nga ana tjetër, industria e kujdesit shëndetësor përdor të dhënat në mënyrë shumë intensive. Në këtë kontekst kartela e pacientit mund të jetë një nga pjesët kyçe të këtyre të dhënave. Kartela e pacientit është qendra rreth së cilës operojnë profesionistët që merren me planifikimin, organizimin, sigurimin, drejtimin, marrjen dhe rimbursimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Vizioni për programin e depistimit të popullatës në Shqipëri synon që të përdorë kartelën e pacientit/individit të regjistruar pranë mjekut përkatës të familjes në mënyrë që të dokumentohen të dhënat e shëndetit të tij, të mblidhen ato dhe të dërgohen në qendrën e përpunimit të informacionit. Natyrisht, mund të krijohet një formular shtesë, i veçantë i cili do t’i shërbente ekskluzivisht gjenerimit të dhënave për programin kombëtar të depistimit në Shqipëri. Përpara ndërmarrjes së këtij ushtrimi në shkallë të gjerë, është e domosdoshme të realizohet një test pilot për t’u siguruar që programi në fjale është i përshtatshëm në kontekstin e Shqipërisë.
Paketa e ekzaminimeve parashikohet të përfshijë:
Konsultë e hollësishme me fokus tek:
• Konsumi i duhanit
• Konsumi i alkoolit
• Ushqyerja
• Aktiviteti fizik
Ekzaminimi fizik
• Matja e presionit të gjakut
• BMI (diametri i barkut)
Ekzaminim laboratorik
• Glicemia (hemoglobina e glukozuar)
• Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride
• Formulë e gjakut
• Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC
• Albuminuria
• Prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë
• Feçe për gjak.
Shëndeti riprodhues
• Kanceri i qafës së mitrës (HPV), pilotim për zonën e Shqipërisë qendrore
• Kanceri i gjirit (mamografi).
Shëndeti mendor
• Depresioni.