Kopertina juaj me xhelatin dhe viktimën godiste drejt e në zemër. Lirak Bejko u dogj nga Berisha. Disa orë pas deklaratës së ligë të Bujar Nishanit në Neës 24, Bejko i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj fyerjes që i bëri presidenti, i cili reflektonte zellin politik të Sali Berishës. Në deklaratën e tyre ditën e djegies së Lirakut, grevistët e urisë akuzuan pa hezitim Bujar Nishanin si vrasës të Lirak Bejkos. Deklarata është e botuar në media dhe e transmetuar në shumë televizione.
Një ditë më pas një zyrtar i Sali Berishës, që mban çelësat e Institutit të Integrimit dhe Rehabilitimit të ish- të Përndjekurve Politikë, bëri një provokim cinik, duke theksuar se nuk do të lejonte drejtues të partive politike të shkonin në homazhet e Bejkos, përveç presidentit Bujar Nishanit. Atij që i vuri flakën!
E veja e Lirakut i dha një përgjigje të mençur, duke theksuar se në vaj nuk i mbyllet dera as hasmit, por deklarata e zyrtarit të Berishës reflektoi më gjerë përpjekjen zyrtare të pushtetit për ta trajtuar edhe pas vdekjes Lirak Bejkon si një fatkeq që ka vrarë veten nën depresion. Përpjekjet e atyre ditëve të Berishës për të kompensuar grevistët për përdorim politik shkuan deri në izolimin e plotë të tyre dhe degradimin e sakrificës së tyre në një akt të dëshpëruar vetëvrasës. Kur ata lanë grevën me dy viktima në rrezik për jetën dhe katër të tjerë të sëmurë rëndë, Berisha u çlirua dhe vijoi me akuzat e tij se ata ishin trafikantë droge, bixhozxhinj, delenxhinj të paguar nga Rama etj.
Kur Liraku vdiq, frika se një valë e re rivlerësimi për të mund ta dëmtojë, bëri që Berisha të rinisë punën për degradimin e ceremonisë. Si pas çdo vrasje, dhe këtë radhë dërgoi sekserët në shtëpi për të blerë gjakun. Pasi nuk arriti asgjë me këtë dhe i trembur se shokët e vet mund të pushtonin vetë zyrat e Institutit, vendosi të fyejë ceremoninë dhe të kompleksojë shokët e Lirakut duke i poshtëruar ata dyfish, duke i detyruar që të pranojnë të vetmin mysafir, atë për të cilin Liraku i vuri flakën vetes, Bujar Nishanin.
Ky cinizëm i skajshëm për jetën e Lirakut, të cilit kërkon t’i çoj xhelatin tek koka ditën e përcjelljes në botën tjetër, buronte jo vetëm nga urrejtja e krijuar brenda vetes nga akti i grevës së urisë, por dhe nga nevoja që ceremonia të mos kishte efekt politik, por të ishte thjesht një ceremoni e një njeriu fatkeq.
Natyrisht që Berisha nuk kishte fuqi të diktonte protokollin e atyre që nderuan Lirakun. As Bujar Nishani nuk kishte fuqi të përballej me viktimën e tij tek koka e arkivolit. Ai mund të vente aty jo si poshtërues, por si i penduar. Dhe si i penduar duhet të vente me një dekoratë për Lirak Bejkon. Në çdo rrethanë tjetër ai nuk shkonte për ta nderuar, por për ta poshtëruar.
Liraku vdiq si njeri i zemëruar me pushtetin, vdiq si një kundërshtar i Sali Berishës, si një hasëm me të cilën Berisha as nuk denjoi të fliste. Ai vdiq si një njeri që u fye nga presidenti i Republikës dhe si një luftëtar i shoqërisë që tentoi të zbatohej ligji dhe të zhdukej racizmi dhe persekutimi ndaj shtresës së tij. Ai nuk vdiq për disa lekë më shumë dhe as me ëndrrën që së paku i vdekur t’i vinte Bujari i Berishës tek koka. Berisha dhe Nishani duhet t’i kërkonin ndjesë familjes së tij. Ata nuk e bënë dhe nuk kanë për ta bërë. Dhe nëse ata do të vazhdojnë t’i trajtojnë Lirakët si viktima, ne duhet t’i trajtojmë ata si xhelatë.
Email nga adresa: [email protected]