Një sasi prej 307 kg e 750 gram lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është sekuestruar dje nga policia e Korçës. Strukturat kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Stafeta” në fshatin Pojan, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Sipas policisë, droga u gjet në një banesë në fshatin Pojan dhe të arrestuarit janë Deni Shahini, 34 vjeç, banues në Maliq, Aleks Kreshpanji, 44 vjeç, banues në Korçë dhe Gramoz Vila, 43-vjeç, banues në fshatin Libonik. Mësohet se 3 personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin transportin e lëndës narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Korçës, ku dhe e përpunonin me qëllim shpërndarjen dhe transportimin për në shtetin grek.
Aktualisht policia identifikoi edhe dy persona të tjerë dhe i ka shpallur ata në kërkim me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale, ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 3 automjete, 9 aparate celularë, 800 euro, si dhe një peshore elektronike.