Koreja e Veriut bëhet gati për luftë. Burime ushtarake koreano-veriore, të cituara nga një agjenci lajmesh, bëjnë të ditur se Peniani ka karikuar dy raketa me rreze të mesme veprimi. Raketat janë vendosur në zonën bregdetare në lindje të vendit. Alarmi për nisjen e luftës shtohet edhe nga mesazhi që regjimi u ka dërguar ambasadave të huaja për të qenë të gatshëm për ndonjë evaukim të mundshëm.
Përgjigjes i është përgjigjur vetëm Moska, e cila është shprehur se nuk ka ndërmend ta tërheqë trupin e saj diplomatik në vendin komunist. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë se është në kontakt me Kinën, SHBA-në dhe Korenë Jugut në lidhje me evakuimin e stafit të ambasadave në Penian.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se nuk është e habitur nga sjellja e Penianit, por në rast nevoje, SHBA do të marrë të gjitha masat e duhura përballë kërcënimeve të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut.
Nga ana e saj, edhe Koreja e Jugut ka dërguar njësite patrullimi në ujërat e gadishullit. Ndërsa mbrojtja kundërraketore në Seul po operon në tokë dhe ajër me një sistem radarësh.
Ushtarakët në Korenë e Jugut thonë se nuk është e qartë nëse përdorimi i raketave mund të jetë një test lëshimi apo një demonstrim ushtarak. Regjimi komunist i Kim Jong Un nuk ka bërë asnjëherë teste me raketat “Musudan”, të cilat komuniteti ndërkombëtar mësoi se Peniani i posedonte në tetor të 2010-s.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, janë të mëdha mundësitë që regjimi kreanoverior të lëshojë raketat në 15 prill, ditëlindja e Kim Il Sung, themeluesi i kombit dhe gjyshi i Kim Jon Un, lideri aktual.
Në kuadrin e reagimeve ndërkombëtare, ish-presidenti kuban Fidel Kastro, i ka kërkuar Koresë së Veriut të “shmangë luftën” që nuk do të prodhonte asnjë benefit për vendet e gadishullit korean dhe “do t’i shkaktonte dëme rreth 70 për qind të popullsisë së planetit”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli
Luftrat janë shkatërim për njerëzit e thjeshtë kudo ata qofshin. Burra shteti janë ata që dinë të mbrojnë popullin ethjeshtë të çdo vendi nga budallenjtë që duan luftë