Media shtetërore e Koresë së Veriut ka vlerësuar kandidatin republikan për president të SHBA, Donald Trump, si një ‘politikan i mençur’, që mund të jetë i mirë për vendin e tyre.
Në një editorial të publikuar nga DPRK, thuhet se ai është kandidati presidencial më largpamës në SHBA.
Së fundmi Trump ka deklaruar gatishmërinë për të takuar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Po ashtu ai ka propozuar tërheqjen e trupave amerikane nga Koreja e Jugut.
Koreja e Veriut kërkon prej kohësh që trupat amerikane të largohen nga gadishulli korean.
“Ditën kur kjo do të ndodhë, do jetë dita e bashkimit korean,” thuhet në editorial.
Po ashtu thuhet se votuesit amerikanë duhet të refuzojnë kandidaten demokrate, Hillary Clinton, duke e quajtur atë “të shurdhër”.