Ndonëse ishte përfolur e kundërta, procesi i korrigjimit të provimeve të maturës për 2014-ën u është besuar sërish mësuesve ekspertë të lëndës përkatëse. Por, kësaj here mësuesit “korrigjues”, duhet të përmbushin një sërë kriteresh sa i takon kualifikimeve që duhet të zotërojnë. Sipas përcaktimeve konkrete të bëra në rregulloren e Maturës 2014, thuhet se procesi i vlerësimit të provimeve nuk do të bëhet në mënyrë digjitale, dhe se për të marrë pjesë në procesin e korrigjimit të lëndëve me zgjedhje dhe atyre të detyruara, mësuesit jo vetëm që duhet të kenë formimin universitar në lëndën përkatëse në të cilën është zhvilluar provimi, por duhet të dëshmojnë edhe një sërë kualifikimesh profesionale, si dhe të kenë eksperiencë pune minimalisht mbi 5 vjet pranë shkollave të mesme. Prioritet në përfshirjen e skemës së vlerësimit do të kenë të gjithë ata arsimtarë që kanë mbi 10 vjet pune në dhënien e mësimit pranë shkollave të mesme. Detaje të tjera sa i takon kritereve që duhet të plotësojnë mësuesit që do të përfshihen në korrigjimin e provimeve kanë të bëjnë me fakte të tilla që “ Mësuesi duhet të ketë qenë i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e provimeve të maturës në vitet e shkuara, (gjithmonë nëse ka marrë pjesë), duhet të jetë i vlerësuar me rezultate të larta në mësimdhënie, të jetë i certifikuar si vlerësues, si dhe të mos ketë konflikte interesi, çka do të thotë se nuk duhet të ketë të afërm në procesin e provimeve. Në rregullore specifikohet se puna për përzgjedhjen e mësuesve që do të marrin pjesë në këtë proces do të nisë gjatë muajit të ardhshëm. Fillimisht do të jenë Drejtoritë Arsimore në të gjithë vendin që do të dorëzojnë listat zyrtare të gjithë mësuesve që kanë mbi 5 vite eksperiencë pune si arsimtar në lëndët që janë përcaktuar si provime me zgjedhje apo të detyruara të maturës shtetërore për këtë vit. “Drejtoritë arsimore që mbulojnë qendrat e vlerësimit duhet të vënë në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Provimeve brenda muajit mars, listat e të gjithë mësuesve të shkollave të mesme për lëndët e provimeve të Maturës”, citohet në Rregulloren zyrtare të Maturës. Përzgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes se rezultateve të vlerësimit. Edhe për këtë vit, testet e maturës do të korrigjohen në 6 qendra të përcaktuara, të cilat do të përzgjidhen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Vlerësimi i çdo testi do të kalojë në duart e dy mësuesve, në rast se do të ketë ndryshime sa i takon vlerësimit të dhënë nga secili prej tyre, atëherë do të jetë një mësues i tretë që do të marrë përsipër korrigjimin e testit. Për të gjitha orët e shpenzuara në vlerësimin e këtyre provimeve mësuesit do të marrin pagesën përkatëse, sipas udhëzimeve që do të detajohen edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Për të qenë pjesë e korrigjimit të testeve të maturës, mësuesi duhet :
Të ketë arsim universitar përkatës.
Të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie, në shkollën e mesme
në lëndën përkatëse (preferohen ata me mbi 10 vjet përvojë pune).
Të jetë treguar i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të
Maturës.
Të jetë i vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie.
Të jetë i vlerësuar maksimalisht në kualifikimin e vazhduar.
Të jetë i certifikuar si vlerësues.
Të mos ketë konflikt interesi.