Këshilli i Evropës ka miratuar rezolutën mbi Kosovën me 115 vota pro dhe 11 kundër. Kërkesat më të rëndësishme të raportit janë forcimi i ligjit në këtë shtet dhe angazhimi i tij për të forcuar kontaktet e drejtpërdejta me Këshillin e Evropës. Ky mund të jetë një hapi i parë drejt pranimit të Kosovës në këtë organizatë
Për më shumë se dy orë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është diskutuar mbi raportin për Kosovën me temë “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”. Autori i raportit është deputeti socialist suedez, Bjoern Von Sidov, njëkohësisht edhe raportues në KE për Kosovën. Pas leximit të raportit dhe rekomandimeve të nevojshme që duhet të ndjekë qeveria e Kosovës për t’u përfshirë në programet e KE-së, Asambleja ka miratuar një rezolutën mbi këtë shtet me 115 vota pro dhe 11 kundër. Rezoluta e Kosovës është mbështetur fuqishëm nga përfaqësues të Gjermanisë, Francës dhe Turqisë.
Ky mund të jetë edhe hapi i parë i pranimit të shtetit kosovar në këtë organizatë. Nga ana e saj, Serbia ka kërcënuar për tërheqje nga dialogu me Kosovën, nëse vijohet me planin për një anëtarësim të mundshëm të saj në Këshillin e Evropës. Përfaqësuesi i Rusisë dhe ai Greqisë e kanë mbështetur kërkesën e qeverisë serbe për t’i dhënë fund afrimit të Kosovës me organizmat evropiane.
Në rezolutë theksohet se qeveria e Kosovës, EULEX-i dhe UNMIK-u duhet të forcojnë zbatimin e ligjit në vend, si dhe kornizën ligjore dhe institucionale kundër korrupsionit. Deputeti suedez Sidov nënvizoi si problem kyç moszbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, si dhe shqetësimin për mosmarrjen e masave të forta për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një tjetër shqetësim mbeten të drejtat e njeriut dhe liria e medias. Sidov tha se Kosova është një vend i lodhur, me gjysmën e popullsisë të papunë, korrupsionin që shtrihet në çdo instancë dhe drejtësinë që vuan ndërhyrjet e politikës.
Në raport qartësohet domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të institucioneve në mënyrë demokratike dhe transparente. “Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, nw nivele të ndryshme. Kjo ndërlidhet me drejtësinë, prokurorët etj. Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë zbatueshëm për të gjithë”, u shpreh Sidov.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është vijimësia e dialogut midis qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, duke nënvizuar se angazhimi i të dyja palëve në të përbën një hap pozitiv të dyanshëm. “Dialogu hap dritaren e mundësive për zgjidhjen e çështjeve thelbësore politike. Jam informuar se shumë nga zotimet që janë dhënë janë zbatuar, e kjo është jetike për të dyja vendet”, ka shtuar Sidov.
Nuk është lënë pas dore çështjet e të drejtave të njeriut: “Raporti bën thirrje për respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ligjeve demokratike në Kosovë, si dhe për zgjerimin e programit të Këshillit të Evropës në Kosovë”, theksohet në raport duke ripohuar edhe njëherë se forcimi i dialogut mes Këshillit dhe përfaqësuesve politikë të Kosovës është një hap i rëndësishëm.
Këshilli i Evropës kryesisht merret me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. 34 nga 47 shtetet anëtare në këtë organizatë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Somario: Serbia ka kërcënuar për tërheqje nga dialogu me Kosovën nëse vijohet me planin për një anëtarësim të mundshëm të saj në Këshillin e Evropës. Përfaqësuesi i Rusisë dhe ai Greqisë e kanë mbështetur kërkesën e qeverisë serbe për t’i dhënë fund afrimit të Kosovës me organizmat evropiane