Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, thotë se ligji kuadër për personat me aftësi të kufizuara, nuk prek asnjë nga të drejtat e arritura deri më tani nga kjo shtresë, si dhe vjen si një domosdoshmëri për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin e barabartë të të drejtave të të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara. Në një intervistë për gazetën “Dita”, Kospiri sqaron se projektligji në fjalë përafron legjislacionin shqiptar me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe për këtë qëllim orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar. Sipas saj, ky projektligj synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj. Madje, jep edhe një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.
– Znj. Kospiri, projektligji për personat me aftësi të kufizuara sapo ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare. Pse është i rëndësishëm ky ligj dhe çfarë sjell për këtë kategori?
Në vitin 2009, qeveria shqiptare firmosi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut, dhe në vitin 2012 Parlamenti shqiptar e ratifikoi atë. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lind detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës. Legjislacioni shqiptar aktual siguron mbrojtje të diferencuar për grupimet e ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, përmes ligjeve specifike / statuseve për grupet e veçanta të invalidëve të punës, të para e tetraplegjikëve dhe të të verbërve, duke lënë të pambrojtur ose të mbrojtur pjesërisht disa grupime të tjera, si personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.
Në këto kushte, filloi puna për hartimin e ligjit kuadër, si teksti kyç ligjor, që do të orientojë ndryshime në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim adoptimin e parimeve dhe detyrimeve të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në legjislacionin shqiptar.
Për hartimin e ligjit kuadër punoi një grup ndërsektorial, me ekspertizën e një eksperteje ndërkombëtare të OKB-së, që kishte punuar për hartimin e Konventës, si dhe me mbështetjen e UNDP. Procesi i hartimit të ligjit u bazua në bashkëpunimin përmes organizimit të takimeve, me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar.
– Ka pretendime se ky ligj është përjashtues. A qëndrojnë këto pretendime apo ky ligj është më përfshirës?
Jo vetëm në titullin e tij, por edhe në përmbajtje, ky është një ligj përfshirës për të gjithë individët me aftësi të kufizuara. Për të sqaruar qartë e të gjithë, në përgjigje të pyetjes që po na drejtohet çdo ditë: A do humbasin të drejtat personat me aftësi të kufizuara?
Jo – Personat me Aftësi të Kufizuara nuk humbasin asnjë të drejtë të fituar deri tani, por sipas këtij ligji, zgjerohet më tej numri i përfituesve me aftësi të kufizuara, si ata me aftësi të kufizuar mendore, ata me probleme dëgjimi, etj, që kanë qenë të diskriminuar ndër vite.
– A është e vërtetë se projektligji në fjalë redukton dhe lë jashtë një numër shumë të madh të drejtash dhe masash konkrete të Konventës?
E theksova që në fillim të intervistës se ky është një ligj kuadër dhe roli i tij është pikërisht transpozimi i të gjitha të drejtave të Konventës në legjislacionin shqiptar, që do të thotë se shumë shpejt do të bëhet një rishikim i kuadrit ligjor në të gjitha fushat, për të përfshirë të gjitha të drejtat dhe masat që parashikon Konventa, në të gjithë legjislacionin, që do të thotë që p.sh. të drejtat specifike për arsimin do të përfshihen në legjislacionin për arsimin bashkë me masat specifike, e kështu me rradhë.
– A kanë rol kryesor / kompetenca shoqatat e aftësisë së kufizuar sipas këtij ligji?
Padyshim që po, madje kjo është një pyetje që nuk ka nevojë të bëhet. Menjëherë pas miratimit të Ligjit, i cili parashikon ngritjen e Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar me 17 anëtarë, ku 5 janë persona me aftësi të kufizuara, përfaqësues organizatash, do të dalin aktet e nevojshme nënligjore dhe administrative që do të rregullojnë funksionimin e këtij Këshilli. Ndërkohë, po sipas neneve të këtij ligji, organizatat kanë përparësi në konsultime duke patur edhe të drejtën e ankimimit në rast të mohimit të kësaj të drejte.
– Ka patur shumë diskutime në lidhje me komisionimin / vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara. Çfarë të reje sjell ky ligj në këtë drejtim?
Sot në Shqipëri,vlerësimi i aftësisë së kufizuar nga komisionet ekzistuese vazhdon të bëhet bazuar në modelin e vjetër mjekësor, pa marrë parasysh nevojat që ka individi për mbështetje, shërbime, përfshirje dhe aksesueshmëri. Ligji nëpërmjet propozimit për reformë në vlerësimin e aftësisë së kufizuar do të sjellë ofrimin e një vlerësimi të diferencuar, rast pas rasti, për disa dëmtime krahasuar me të tjerat, që do të thotë vendosjen e kufijve të mbrojtjes në terma individualë, duke vlerësuar nevojat për ndihmë dhe mbështetje rast pas rasti, dhe duke shmangur në këtë mënyrë, trajtime dhe përfitime të njëjta për gjendje të ndryshme të dëmtimit. Gjithashtu, ky ligj përcakton detyrimet e institucioneve respektive në nivel qendror dhe lokal për mbledhjen e të dhënave statistikore për personat me aftësi të kufizuara si dhe mënyrën e raportimit të tyre.
– A prodhon ky ligj efekte financiare?
Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në këtë fazë, se është ligj kuadër, por i gjithë procesi në vazhdim po vlerësohet dhe do të vazhdojë të vlerësohet për efektet e tij financiare, sepse realisht do të ketë një faturë jo të vogël financiare, përderisa detyron të përmbushen të gjitha detyrimet e Konventës. Por, kjo do të jetë në mënyrë graduale, sepse edhe Konventa e ka të përcaktuar zbatimin progresiv të detyrimeve të saj, sipas prioriteteve.
Përfshirja sociale është një proces ndërsektorial, që do të thotë se do të jenë të përfshirë shumë institucione përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, të cilët në parashikimet e tyre buxhetore do të fillojnë të planifikojnë për zbatimin e masave në zbatim të ndryshimeve ligjore në përputhje me të drejta tashmë më të zgjeruara për personat me aftësi të kufizuara.
Do të doja të shtoja në fund se në prononcimet e fundit në media, fatkeqësisht vihet re një fokus i kundërshtimit të ligjit në lidhje e kryesisht me mënyrën e përfaqësimit të shoqatave, kur thelbi i këtij diskutimi duhej të ishte në atë se sa ky ligj siguron të drejta të barabarta për individët me aftësi të kufizuara për përfshirje.
Ftoj organizatat që në vazhdim të bashkëpunojnë në hapin shumë të rëndësishëm, pas miratimit të ligjit, të rishikimit të të gjithë legjislacionit shqiptar, për ta përputhur me parimet dhe të drejtat e Konventës dhe në përgatitjen e akteve nënligjore që realisht ta bëjnë të zbatueshëm legjislacionin në këtë fushë. Le të punojmë së bashku për zbatimin e tij!
Une mendoj se ngritja e Keshillit Kombetar te aftesise se kufizuar eshte nje veprim i domosdoshem, qe ka per te permiresuar punen. Ministria ka te drejte.Shoqatat nuk mund te pervetesojne cdo gje dhe vetem ato te pyeten.
Edhe ligji ne teresi me duket i drejte. Urime!