Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është drejtuar opinionit publik me një deklaratë, në të cilën kritikon zgjedhjet e zhvilluara në Konventën (Kongresin) e PDK-së, duke i quajtur ato produkt të një njeriu dhe duke konstatuar se partia është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Krasniqi e ka refuzuar postin e anëtarit të Kryesisë së PDK-së me arsyetimin se nuk dëshiron dhurata nga Hashim Thaçi. Letra e Krasniqit është e dyta brenda pak javësh për zhvillimet në këtë parti. Por, pavarësisht se po tregohet i ashpër, Krasniqi duket se nuk e ka të lehtë të marrë vendimin për t’u larguar.
“Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj. Rrjedhimisht kësaj, unë nuk e njoh as “produktin” e këtij procesi “zgjedhor” finalizuar nga një Konventë jolegjitime”, shprehet Krasniqi.
Në letrën e tij, Krasniqi thotë se skenari i zgjedhjeve të brendshme partiake ka pasur synim eliminimin e njerëzve më të votuar. “Nga e gjithë kjo më rezulton se në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur, njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit. Nëse nuk qe e mundur t’i largojmë uzurpatorët me një proces të rregullt zgjedhor, unë të paktën nuk pranova të jem pjesë e tyre”, ka thënë ai.
Ndërkohë, zyrtarët e PDK-së nuk kanë dashur t’i komentojnë deklaratat e Kryetarit të Kuvendit.