Kredia e re për investime vitin e kaluar ka shënuar nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të Nëntorit bankat i akorduan biznesit 23.8 miliardë lekë kredi për investime, në rënie me 35 për qind ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Bizneset nuk po gjejnë terren të favorshëm për investime të reja, në kushtet e një kërkese të dobët konsumatore për mallra dhe shërbime. Dobësimi i kërkesës ka rritur kapacitet e pashfrytëzuara të bizneseve dhe ka thelluar hendekun negative të prodhimit në ekonomie. Vrojtimet e besimit të biznesit tregojnë se shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve është e ulët dhe planet për të kryer investime të reja janë mjaft të vakta. Sipas Bankës së Shqipërisë, vrojtimi i bizneseve të sektorit të shërbimeve në tremujorin e tretë tregoi se 82 për qind e bizneseve nuk kanë kryer investime të reja, ndërsa në sektorin e industrisë shkalla e sipërmarrjeve që nuk kanë kryer investime arrin në 89 për qind. Rënia e kërkesës, e shoqëruar me një sjellje më të kujdesshme dhe përzgjedhëse të sistemit bankar ka bërë që kredia për financimin e projekteve të investimit të jetë më e ulëta në të paktën gjashtë vjet. Përmirësimi i hallkave ligjore të ekzekutimit të kolateralit besohet të ketë në tërësi një efekt pozitiv në përmirësimin e kreditimit.