DITA: Cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e valës së krimit? Çfarë e energjizon atë?
SHKRUAN: Falma Fshazi
Në Shqipëri ka para së gjithash krim shtetëror: Gërdeci, korrupsioni me bllok shënimesh, 21 Janari, për të vazhduar me kërdinë e votës e kështu duke përmendur veç majën e ajsbergut. Dhe ky krim, shtetërori pra, është energjizuar fort nga 2008 e këtej. Por, ka dhe krim që do ta quaj social dhe, për mendimin tim, nëse s’do të qe i pari i energjizuar, s’do qe në këtë gjendje as i dyti. Kjo është arsyeja e parë që ka ndikuar në rritjen e krimit të llojit të dytë: shteti që nuk ka përparësi mirëqenien shoqërore, por është i përfshirë nga parti-politika dhe është thjesht një mjet për arritjen e objektivave materiale të disave.
Kjo bën që shteti të mos kryejë detyrat e veta themelore atë parandaluese, mbrojtëse, edukuese, ndëshkuese, ndërsa i lë rrugë të hapur çdo situate fatale, për shumë familje e individë. Ndërsa rrethi vicioz është formuar tashmë: moskryerja e detyrave shtetërore sjell zinxhirin e fataliteteve të përditshme për individë, familje, grupe, ky i fundit sjell depresion social, akumulim zemërimi, ndjenjë braktisjeje, nevojë për hakmarrje, çoroditje vlerash, drejtësi individuale, ligjin e forcës e të fortit.
Kjo histori e sotme ka një eksperiencë të shkuar që e rëndon dhe një përjetim bashkohor që e acaron. E shkuara ka lidhje me problemet e një shteti që nuk arriti të kryejë detyrat e veta demokratikisht dhe “normalisht” që nga formimi i tij. Ka lidhje me një të shkuar diktatoriale ku shoqëria mbahej në një presion të tejskajshëm social, kulturor, politik. Të shoqëruara këto me një gjuhë publike me “armiq, sabotator, deklasuar” etj. Në fund të fundit, gjuhë dhune që tensionon shoqërinë. 90’ta me tensionet sociale të hershme në njëfarë shkalle të transformuara, në një shkallë tjetër të ngrira dhe, ndërsa shteti i hoqi ngricën, dolën siç patën qenë në fillim shekulli.
Gjërat u acaruan nga shtetarët e pluralizmit e veçanërisht, padyshim, më shumë se askush nga ata që janë në pushtet dhe sot, gjuha karakteristike e të cilëve është: “Ta bëj fytyrën të zezë si këpuca… të var te palma para Kryeministrisë… e doni plumbin ballit… horra bulevardi… lavire bulevardi… ai që masakroi… ju që vratë…nënës tënde… motrës tënde… burrnis’ tënde…”
Kjo jo vetëm është gjuhë krimi, por frymëzon, mbështet, inkurajon krimin.
Në këtë kuptim krimi që po prek majat shekullore këto ditë, është një akumulim që shpërthen tani, sepse gjeti sheshin më të mirë për përsheshin e vet më me yndyrë se kurrë. Dhe shesh më të mirë se Ministria e Brendshme e Shqipërisë, sot ku ka! Kë të përmendesh aty? Ministrin që artikulohet me performancë burrash! Dhe në këtë vend priten koka grash (sa çudi!), apo zëvendësit e tij mjeshtra të grabitjes së votës, në këtë vend grabitesh çdo ditë në rrugë (sa habi!). Një ministri në funksion të votës së partisë, një shtet veç për disa, etje për para, yndyrë më të mirë për përsheshin e krimit kur u gjet!
Nuk besoj se shoqëria jonë ka prodhuar këtë karikaturë tragjike shtetërore që triumfon sot e as që duhet të fajësojmë shoqërinë siç bëhet shpesh me zhargonin diskriminues e të turpshëm, revoltues të tipit “nga injoranca… se janë katundarë… të ulur… e bëjnë malokët… fakirat… pabuksat etj. etj.” Ka një problem “tradicional” përfaqësimi politik në vend, si rrjedhim i të cilit është karikatura shtetërore, gjakimi për pushtet që mban peng tensione të vjetra, pa zgjidhur gjë, veç duke shtuar mbi to të reja. Dhe, duke gjakosur materialisht e shpirtërisht më të mirën e kësaj shoqërie që është strukur e ka shumë shumë vite tashmë që jeton të padëshirueshmen e pritshme, të pakuptueshmen që nënkuptohej, të qëllimshmen e paqëllimtë, ndërsa e çmeritur përjeton të pamerituarën.