Komisioni Europian ka hartuar një plan sekret për krijimin e një mekanizmi për rivendosjen e përkohshme të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në dhjetorin e shkuar, u përgatit dhe një “klauzolë mbrojtëse” që mundëson regjimin e përjashtimit, sipas një kërkese të prezantuar nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian, duke rivendosur automatikisht limitet e lëvizjes së lire, me t’u vërejtur shtim i kërkesave për azil apo dhe një fluks i ekzagjeruar emigrantësh klandestinë nga rajoni drejt BE-së. Kjo strategji në fakt i përgjigjet nevojës për të ndalur avancimin e trafiqeve me qenie njerëzore, që sot janë kthyer në korridore të vërteta transnacionale të ndërlidhura ngushtë me rrugët e kokainës dhe heroinës, që nga Afrika dhe Lindja e Mesme takohen në Gadishullin Ballkanik për të arritur më pas në Evropë.
Shfrytëzimi i emigracionit klandestin i gërshetuar me bizneset e drogës në fakt ka krijuar një burim të pashtershëm fitimi, si për vendet prodhuese ashtu edhe për ato tranzite, duke financuar në këtë mënyrë organizata terroriste e kriminale të nivelit të lartë.
Përshkallëzimi i pandalshëm i këtij fenomeni i ka gjetur krejtësisht të papërgatitur e të paaftë autoritetet e vendeve të Ballkanit, që nuk arrijnë të ndalojnë shtirjen dhe shpejtësinë me të cilën lëvizin të tilla flukse, duke konsideruar edhe ekzistencën e një përfshirjeje të qartë mes forcave të policisë dhe kriminalitetit. Për më tepër, qendrat kryesore rajonale të pritjes, të vendosura në Bosnje, Serbi dhe Maqedoni janë të mbushura në prag të ngopjes, gati të mbërthejnë ekuilibrin e pasigurt mes hyrjes së klandestinëve dhe daljes së azilkërkuesve.
Vrima e zezë në menaxhimin e kufijve gjithsesi mund të shpërthejë një krizë, në qoftë se situata në Lindjen e Mesme degjeneron edhe më tej me shtrëngimin e sanksioneve kundër Iranit, për shkak të rritjes së aktiviteteve armiqësore në hulumtimet mbi energjinë bërthamore. Në fakt, duke iu referuar burimeve iraniane, studiuesi iranian Mohsen Fakhrizadeh, që konsiderohet si Oppenheimeri i Teheranit, pas vitesh heshtje ka riaktivizuar laboratorin e tij të kërkimeve për bombën bërthamore në periferitë e Teheranit. Sipas disa videove të postuara në internet nga një person i cili pretendon se përfaqëson një grup brenda të programit bërthamor të Iranit, që mund të gjendet në portalin në gjuhën persiane Bamdadkhabar.ir, Fakhrizadeh është duke studiuar zhvillimin e shpikjeve të reja teknike dhe shkencore për të krijuar një bombë bërthamore, duke futur brenda ekipit e tij disa shkencëtarë dhe ushtarakë me të cilët ka punuar në hulumtimet e mëparshme.
Mes tyre nuk shfaqen vetëm eksponentët e komunitetit shkencor, por edhe njerëz nga skena politike aktuale, gjë e konfirmuar kjo nga fakti se njëri prej tyre është Fereydoon Abbasi – Davaani, kreu i Organizatës iraniane të Energjisë Atomike dhe zëvendës President i Shtetit. I njëjti burim zbulon ekskluzivisht foto origjinale të Mohsen Fakhrizadeh, sepse dhe vete identiteti i tij ka qenë objekt i dezinformimit.
Konfirmimi mbi synimin e Teheranit për të mos hequr dorë nga e tij privilegjet ofensive, po e shtyn në mënyrë të pashmangshme komunitetin ndërkombëtar të vendosë sanksione të reja e më të ashpra kundër ekonomisë iraniane, pra të drejtuara jo vetëm për sektorin bankar dhe naftënxjerrës, por edhe ndaj mbarë industrisë energjitike dhe financiare, me futjen e embargove gjithnjë e më të rrepta.
Ngrirja e shkëmbimeve ndërkombëtare, në mënyrë të pashmangshme, do të nxisë një luftë energjitike dhe si rrjedhim të ushqejë tregun e zi, i etur çmendurisht për burime të reja financimi, duke i bërë gjithnjë e më të begatë e fitimprurës trafiqet e klandestinëve, drogës dhe armëve.
Ballkani është padyshim rajoni më i ekspozuar ndaj kërcënimeve destabilizuese nga Lindja e Mesme, duke qenë se është zona “jastëk” e Bashkimit Europian si dhe një zonë gjeopolitike e ndërlidhur shumë me juglindjen aziatike, si në aspektin ekonomik ashtu dhe të strukturave kriminale.
Kriza financiare europiane është në fakt vetëm faza e parë e një tabloje shumë më kritike dhe shqetësuese, që sot po ndihet direkt mbi Sirinë dhe Afrikën e Veriut, po mund të shtrihet në Lindjen e Mesme e Kaukaz, e pra të krijojë një valë anomale që do përfshijë edhe Ballkanin.