Kriza ekonomike dhe ulja e konsumit po ndikon negativisht edhe në tregun e cigareve. Të dhënat e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmojnë rënien e importit të cigareve gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Sipas doganave, janë importuar rreth 2060 tonë cigare në periudhën janar-gusht të këtij viti, me një rënie prej afro 8.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është një ndër nivelet më të ulëta të importeve të cigares regjistruar në katër vitet e fundit, larg kuotave të katër viteve më parë, kur në Shqipëri rezulton të jenë importuar rreth 2650 tonë cigare.
Sipas operatorëve, shkaku kryesor që ka çuar në rënien e importeve, më shumë se rënia e konsumit, është importi i shtuar i duhanit të papërpunuar, që hyn në Shqipëri duke anashkaluar doganën.
Në dy-tre vitet e fundit, “duhani me dredhje” ka rritur ndjeshëm peshën e tij në konsum, për shkak të çmimit të lirë.
Operatorët e mëdhenj të tregut të cigareve thonë se tashmë ky duhan zë deri në 20% të tregut total cigareve në vend.
Në kushtet e krizës ekonomike, gjithnjë e më shumë konsumatorë po “dynden” drejt produkteve me çmime të lira dhe duket se duhani i papërpunuar që prodhohet në zonat veriore të vendit, u ka ardhur në “ndihmë” klientëve me të ardhura të ulëta. Ky duhan shitet kryesisht në rrugë nga tregtarë ambulantë dhe konsumohet kryesisht nga moshat e mëdha, që janë duhanpirës të rregullt.
Në fakt, edhe të dhënat zyrtare të INSTAT, konfirmojnë rritjen e prodhimit të duhanit vitet e fundit. Megjithëse sasia e prodhuar është ende larg niveleve të para viteve ‘90, ku në vend ekzistonte një industri e zhvilluar e prodhimit të cigareve, ajo është rritur në katër vitet e fundit. Në total, gjatë vitit 2012 janë prodhuar në vend 2,000 tonë duhan.
Për importuesit, ky duhan që po bëhet gjithnjë e më konkurrues në kushtet e krizës, është shqetësues.
“Nëse rritja e akcizave që pritet të ndodhë në të ardhmen nuk është proporcionale, ekziston një risk i konsiderueshëm që konsumatorët të kalojnë nga produktet me akcizë tek duhani i paligjshëm”, thotë Sorin Juganaru, CEO i kompanisë JTI, e cila ka ekskluzivitetin e një sërë markash cigare në vend.
Më shumë formate
Në kushtet e rritjes së konkurrencës, importuesit po tregohen shumë më tepër agresivë në marketing. Ata janë fokusuar në shpërndarje ndërkohë që kanë lançuar edhe formate e produkte të reja.
Formati prej 10 cigaresh, që u lançua fillimisht në treg nga kompania JTI, është tashmë një produkt që ofrohet nga thuajse të gjitha kompanitë. Sipas importuesve, në kushtet e rritjes së çmimit të cigareve, ky lloj formati ndihmon konsumatorin që të mos shpenzojë në shuma të mëdha njëherësh.
Nga ana tjetër, në treg janë lançuar edhe produkte të reja, që janë më pak të dëmshme për shëndetin dhe që synojnë konsumatorin e ndjeshëm ndaj cilësisë së cigares. / Laura Çela / Monitor