Lionel Mesi nuk konsiderohet më si i pashitshëm, pas paraqitjes në ndeshjet e fundit. Asi argjentinas ishte hija e vetvetes në dy ndeshjet më të rëndësishme, kundër Atletikos në Champions League dhe kundër Realit në finalen e Kupës së Spanjës. Në këto kushte, kur duket se forma e tij e dobët ka infektuar të gjithë skuadrën, Barcelona mund të marrë në konsideratë shitjen, gjë që më parë ishte tabú. Të interesuarit nuk kanë munguar për Mesin, edhe pse ka pasur një klauzolë shumë të lartë, 200 milionë euro, por tani mund të ketë tentativa serioze. Në zyrat e drejtuesve janë duke u shqyrtuar të gjitha pasojat financiare që do të shkaktonte humbja e një prej figurave kryesore siç është Mesi, pa harruar të ardhurat e mëdha që vijnë vetëm nga imazhi i tij. Prej pak kohësh, klubi dhe Horge Mesi, babai dhe agjenti i lojtarit, janë në negociata për rinovimin me një pagë që do të shkonte deri në 25 milionë euro për sezon. Ka zëra se Mesi nuk e pëlqen një shifër të tillë, me sa duket duke pasur klientë që mund të paguajnë edhe më tepër. Ndërkaq, edhe situata brenda skuadrës nuk është e mirë, pasi ndeshjet e fundit kanë shkaktuar hatërmbetje. Mesi ka qenë shumë pak aktiv në takimet e rëndësishme që lamë pas, madje në Madrid kundër Atletikos ai vrapoi vetëm diçka më tepër se një kilometër më shumë se portieri Pinto, çka tregon edhe rebelim kundër trajnerit. Që në verë, ish-trajneri Johan Krujf parashikoi krizën që do të vinte nga pamundësia për të përshtatur Mesin me Neimar dhe deri tani një gjë e tillë ka ndodhur, ndaj edhe klubi mund të marrë masat e paimagjinueshme më parë.