Kroacia bëhet zyrtarisht anëtare e BE-së, duke e çuar në 28 numrin e vendeve anëtare të grupit. Në Zagreb u organizua ceremonia zyrtare, ku ishte i ftuar edhe presidenti i Komsionit Europian Hose Manuel Barroso dhe presidenti i PE-së Martin Schulz.
Në fjalën hapëse, Schulz theksoi se shtëpia e Evropës do i shërbejë interesit të qytetarëve, duke shtuar se sot hapet një kapitull i ri për Kroacinë dhe BE. Schulz tha se anëtarësimi në BE nuk ofron zgjidhje magjike. “Anëtarësimi në BE nuk ofron zgjidhje magjike. Kroacia ka përfituar nga fondet e BE në shumë drejtime. Më lejoni të ju inkurajoj të merrni pjesë në zgjedhjet e PE muajin e ardhshëm, në përzgjedhjen e kandidatëve kroat për PE. Nëse doni që të rinjtë të punësohen, nëse doni një të ardhme më të mirë votoni BE”, shtoi Schulz.
Kroacia vend me 4.4 milionë banorë është vetëm vendi i dytë i dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë që përfshihet në Bashkimin Evropian. Sllovenia u bë anëtare në vitin 2004.
Antarësimi shënon një moment historik në kapërcimin e të kaluarës së përgjakshme të luftës së viteve 1991-1995 për pavarësi, ku gjetën vdekjen rreth 20 mijë vetë.