Nëse termi i opozitës “Rilindje” ka filluar që tani të japë frytet e veta, shembulli me tipik është Bashkia Rrëshen. Edhe vizitori më i thjeshtë sapo merr kthesën, një kilometër në të hyrë të qytetit, konstaton një qytet të tjetërsuar në çdo qelizë të tij. Edhe pse njerëz të papërgjegjshëm të shtetit, në përpjekje të fshirë emrin Mirditë, duke vendosur në hyrje të zonës tabela që nuk kanë lidhje me këtë trevë, krybashkiaku i Rrëshenit, si epiqendër e Mirditës, e nis mandatin e tij me një veprim të thjeshtë, por tepër domethënës.
Pa pasur frikë se vizitorëve do t’u tregohej një qytet që kishte mundur të mbijetonte mes llumit e mizerjes, qytetari numër një i Rrëshenit, Ndue Geg Kola, vendos tabelat e para ku tregohej Mirdita, dhe më tej në vijimësi, një tabelë gjigante ju uron mirëseardhjen. Ndërkohë, puna fillon me aksion në kushtet e emergjencës.
Qytetarët jo pa habi ndjekin me ditë të tëra dhjetëra kamionë që dalin nga qyteti të ngarkuar me mbeturina dhe mbetje të tjera inerte, përfshirë dhe ferra e shkurrishte. Një vit më vonë qyteti ka marrë pamje tjetër. Ajo çfarë i jep sharmin e duhur për një ambient që rrezaton kulturë, është suvatimi dhe lyerja e fasadave të banesave shumëkatëshe të qytetarëve, por edhe institucioneve. Në mes të qytetit, mes ish-godinës së Gjykatës dhe ish-Komitetit Ekzekutiv, aty ku ishte një varrezë makinash, sot shtrihet një lulishte moderne me trotuare dhe vende komode pushimi për rininë dhe pensionistë.
Si kjo janë ndërtuar të reja edhe gjashtë lulishte të tilla, me shtrirje në të gjitha zonat e qytetit, ku janë vendosur rreth 100 stola dhe lojëra për fëmijë. Ndërhyrje të tjera në infrastrukturë janë bërë në çdo metër të qytetit, ndërkohë punohet periodikisht për mirëmbajtjen e tyre. Në qytet janë mbjellë në harkun kohor të një viti a më shumë, rreth 600 pemë dhe shkurre dekorative, duke ndikuar drejt për drejt në pastrimin e ajrit dhe krijimin e ambienteve qytetare. Në një intervistë për gazetën “Dita”, kryebashkiaku flet për punën e bërë dhe për vështirësitë e hasura.
Ndërsa punohet, pyetja e parë për kryebashkiakun Ndue Gega lidhet me financimin e gjithë këtij aksioni që vijon pa ndërprerje…
Janë shfrytëzuar me efikasitet të gjitha mundësitë. Kjo ndodh kur ka përkushtim për të bërë sa më mirë atë që dukej e pamundshme. Janë mbledhur të gjitha taksat pa bërë dallime tek të gjitha bizneset, por edhe vetë qytetarët. Janë mbledhur të gjitha taksat, si ajo e ndikimit në ambient, taksat për ndërtimet etj.
Por për uljen e kostove të punëve ka ndikuar brigada e ndërtimit që ka bashkia, pasi shumë punë nuk janë tenderuar, por janë realizuar nga kjo brigadë duke shpenzuar vetëm materialin e ndërtimit.
Po buxheti i shtetit sa ka qenë ndikues përmes grantit që u adreson njësive vendore?
Edhe pse u deklarua me bujë nga qeveria se buxheti i adresuar për njësitë vendore do të ketë rritje të konsiderueshme për vitin 2013, të paktën për Bashkinë Rrëshen, kjo nuk ka ndodhur. Kushdo mund të verifikojë se shifrat nuk kanë asnjë ndryshim me vitin që shkoi, shto këtu edhe grabitjen që na u bë nga Ministria e Financave në fund të vitit që shkoi.
Siç është bërë e ditur me një urdhër krejt të paligjshëm na u grabitën 80 milionë lekë për llogari të një kompanie mafioze në ikje, CEZ Shpërndarje, me pretendimin se do mbyllej debia e Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ato para nuk dihet se në çfarë vrime të zezë përfunduan, pasi sot kjo ndërmarrje rezulton të jetë një debitore shumë e madhe ndaj sektorit elektrik. Ajo çfarë është e sigurt, është se qytetarët e Rrëshenit u penalizuan në një masë të madhe në disa shërbime të parashikuara.
Çfarë mendoni se është urgjente për të plotësuar në formën më të mirë të mundshme të nevojave të qytetarëve?
Edhe pse ndryshimi në qytet, por edhe në fshatrat që përbëjnë bashkinë është i dukshëm, kushdo vëren se jemi si të thuash në rrethim. Shikoni rrugën që shkëputet nga autostrada për në qytetin Rrëshen. Një rrugë e viteve ‘40, pa asnjë ndryshim, plot gropa dhe pa asnjë mirëmbajtje. Po ashtu unaza e qytetit tashmë është bërë e pakalueshme nga mosndërhyrja e qeverisë që e ka në juridiksion, edhe pse janë izoluar dhe penalizuar dhjetëra bisneze të mëdha që operojnë në atë anë.
Ne nga ana jonë nuk kemi qëndruar duarkryq. Kemi bërë dhe kemi gati projektet për unazën, trotuarin që do fillojë rreth 1 km në të hyrë të qytetit, për rrugët: Kodër Rrëshen-Tenë, Kaçorraj- Sheshaj, ndërsa tashmë është në fazë tenderimi ndërtimi i një pedonaleje në kuptimin e plotë të fjalës, në një rruge të rëndësishme në qytet.
Sa është rinia në vëmendjen e Bashkisë Rrëshen?
Qyteti Rrëshen ka një masë të madhe rinie dhe për këtë po mendohet seriozisht. Kemi disa projekte, ndër to edhe ish-kinemanë. Por pritet 23 qershori që të dalim nga “rrethimi” dhe këtë më shumë se kushdo, e pret vetë masa e të rinjve.
Cili është parashikimi juaj për 23 qershorin në Mirditë?
Parashikimi është i qartë prej kohësh. Vota për pushtetin vendor ishte masive. Ne punojmë dhe kemi çfarë të themi. Nuk e di nëse u ka mbetur ndonjë argument atyre që nuk besojnë në triumfin e sigurtë të “Rilindjes”.
Ndue Gega te uroje suksese.Si dhe ne rini ke qene gjithmon kerkues per te bere me te miren.Urime