Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Përrenjas përfundon me një incident. Sipas denoncimit që ka bërë anëtari i Këshillit Bashkiak, Myslim Karriqi në policinë vendore, ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të mbledhjes së radhës, ai është goditur fizikisht me grusht dhe kërcënuar nga kryetari i bashkisë Bajazit Karriqi. Policia tha se ka nisur verifikimet nëse ngjarja ka ndodhur sipas pretendimeve të këshilltarit dhe po pyet edhe anëtarët e tjerë. Në shpjegimet e tij, këshilltari ka thënë se motivi i sulmit ishte detyra, pasi sipas rendit të ditës ai ka ngritur një pyetje ndaj kryebashkiakut meqenëse ishte në diskutim edhe buxheti vjetor. Por Karriqi është nxehur duke e quajtur pyetjen e këshilltarit si provokative dhe pas shkëmbimit të fjalëve fyerëse ka ardhur goditja me grusht. Të gjitha pretendimet janë marrë nga policia vendore për të kryer verifikimet e ngjarjes. Karriqi u zgjodh kryebashkiak më 8 maj 2011 nën siglën e “Aleancës për qytetarin”.