Të mërkurën qeveria bullgare dha dorëheqjen pas protestave që shpërthyen në mbarë vendin kundër faturave të “kripura” të energjisë elektrike. Rreth 25 vetw morwn ndihmwn e parw mjekwsore pas pwrplasjeve tw protestuesve me policinw
Dy javë pas protestave të pandërprera, të shpërthyera në qytetet bullgare kundër rritjes sw madhe të çmimeve të energjisë elektrike, qeveria e qendrës së djathtë ka shpallur dorëheqjen në Sofje. “Populli na dha pushtetin dhe sot ne ia rikthejmë atë”. Me këto fjalë kryeministri dhe lideri i partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), Boiko Borisov, njoftoi parlamentin për shpërbërjen e ekzekutivit.
Protestat dhe dorëheqja
Prej mëse 15 ditësh Bullgaria qe përfshirë në protesta popullore gjithnjë e më të vendosura, të cilat kishin si shtysë rritjen alarmante të tarifave të energjisë elektrike. Për këtë qëllim, kërkohej largimi i qeverisë aktuale dhe ‘rikombëtarizimi’ i sistemit të shpërndarjes të energjisë, e cila u ishte lënë në dorë shoqërive të huaja: “CEZ”, “Energo Pro” dhe austriakja “EVN”. Këto shihen si përgjegjëset e fryrjes artificiale të faturave elektrike gjatë muajve të fundit.
Kryeministri Boiko Borisov kërkoi t’i qetësonte njerëzit duke shkarkuar ministrin e Financave dhe siguroi se do të ulte çmimet e energjisë e do të ndëshkonte shoqëritë e huaja, të cilat duhet të paguajnë gjoba deri në 500 mijë euro, ndërsa kompanisë çeke “CEZ” që zotëronte 70% të rrjetit shpërndarës në shtetin bullgar, iu hoq licenca.
Bullgaria vendoset kështu në një kurs përplasjeje me Republikën Çeke dhe rrezikon një ‘ftohje’ diplomatike me këtë shtet. Kryeministri çek, Petër Necas, ka reaguar duke thënë se “veprimi i Bullgarisë është i politizuar dhe duhet sqaruar”. Të martën në mbrëmje 25 persona u shtruan në spital pasi përplasjeve mes manifestuesve dhe policisë. “Nuk do të jem pjesë e një qeverie ku policia rreh njerëzit. Nuk dua të shoh gjak nëpër rrugë, nuk është ky qëllimi ynë”, tha kryeministri i dorëhequr Borisov, duke iu referuar përplasjeve të dhunshme.
Bullgaria në krizë
Por seria e masave e ndërmarrë me vonesë nga qeveria bullgare nuk shërbeu në uljen e pakënaqësisë së përgjithshme që u shpërfaq edhe të martën në manifestime të dhunshme. Shumë bullgarë janë të pakënaqur për shkak të çmimeve të larta, monopoleve të sektorëve ekonomikë, nivelit të ulët të jetesës dhe korrupsionit që ka përfshirë vendin më të varfër të Bashkimit Evropian. Në 10 muajt e fundit në Bullgari papunësia është rritur me 11.9%, ndërsa rroga mesatare shkon deri në 800 leva (550$) në muaj. Bullgaria i rriti çmimet e energjisë elektrike me 13 % korrikun e shkuar, por impakti real nuk u ndje deri në stinën e dimrit kur familjet filluan të përdornin energjinë elektrike për ngrohje.
Boiko Borisov
Boiko Borisov, 53 vjeç, ka qenë kryebashkiaku më popullor i Sofjes nga viti 2005 deri më 2009-n, kur partia e tij GERB mori më shumë se 42% të votave në zgjedhjet e përgjithshme elektorale. Kjo ishte një fitore bindëse mbi socialistët në ikje, që e vuri Borisovin në krye të qeverisë së re bullgare. Një nga karakteristikat më të dukshme të politikës bullgare (përveç akuzava të shpeshta për korrupsion dhe parregullsive që regjistrohen gjatë çdo fushate zgjedhore) është fakti që qeveritë në detyrë nuk favorizohen nga populli.
Që nga fundi i komunizmit e deri sot, asnjë e tillë nuk është rizgjedhur për herë të dytë. “Nuk do të riorganizoj një qeveri programatike me partinë DPS e as me partinë DSB, që janë e njëjta gjë”, tha Borisov. DPS-ja është partia liberale e minoritetit turk, ndërsa DSB-ja është një parti e djathtë, për momentin që të dyja në opozitë.
Përgatiti: Dorina Gjuzi