Berisha, fushatë me zëvendësministrat
Partia Demokratike duket e zënë në vështirësi pas premtimit të opozitës se do të zerojë taksën për biznesin e vogël. Nervozizmin e tregon lëvizja më e fundit e Berishës që ka nxjerrë të gjithë zv.ministrat në fushatë për të folur kundër premtimeve publike të Ramës. Përpjekjet arrijnë deri aty sa gjejnë tregtarë të cilët shprehen se janë të kënaqur nga niveli i taksave dhe për këtë falënderojnë doktor Berishën.
Kjo ngjarje përveç se parathënie e një fushate, axhendën e së cilës po e dikton deri tani opozita, hedh dritë edhe mbi një fakt i cili ka kohë që përflitet nën zë në korridoret e administratës: shmangia e ministrave nga “tribuna” e fushatës për zgjedhjet e 2013-s.
Shumica e tyre e kanë të pamundur të jenë të besueshëm, në përpjekjen për të bindur qytetarët se një qeveri skandalesh ku emrat e tyre janë nominuar thuajse të gjithë, meriton edhe një mandat të tretë. Shumë prej anëtarëve të kabinetit kanë probleme me drejtësinë dhe kanë përfituar deri më tani vetëm nga rrëmuja e rrethanave politike nga procedurat.
Zëvendësministra, të cilët në shumicën e rasteve janë pa identitet politik dhe thuajse të panjohur për publikun i sheh tashmë nëpër ekrane ose në takime ku nuk spikat deri tani ndonjë qëndrim që vlen të shënohet. Deklaratat janë thjesht ato që serviren përditë nga zyra e shtypit e selisë blu: zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozgo dhe zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, janë anagzhuar edhe në zërin “takime me qytetarë”.
Kryeministri prej muajsh ka tentuar ndryshime në qeveri, por e ka të pamundur. Pesha e skandaleve që lidhen me vetë emrin e tij dhe paralelisht me këtë situata e brishtë, mungesa e numrave dhe prishja e ekuilibrave brenda partisë, – detyrojnë vijimësinë për inerci të një kabineti të ngarkuar me akuza për krime të rënda ekonomike dhe jo vetëm.
Disa nga ministrat e shmangur
Arben Imami
Ministri i Mbrojtjes është anëtari i kabinetit që ka më shumë akuza për momentin në qeverinë Berisha. Ai së bashku me mazhorancën ka bllokuar arbitrarisht hetimin parlamentar për trafikun e armëve, por dhe shitjen e pronave, si dhe përgjimin e opozitës, megjithë sugjerimet dhe apelet që kanë ardhur deri edhe nga selia e NATO-s.
Genc Pollo
Ministri i Genc Pollo është ndër figurat që Berisha edhe pse nuk e do në kabinet, qëndron për shkak të numrave. Ministrii i Teknologjisë dhe Informacionit, Është akuzuar për abuzim me detyrën, marrje ryshfeti dhe favorizime në dhënien e lejeve për fibrat optike në vend.
Ridvan Bode
Ministri i Financave që duhet të ishte në krye të përballjes për taksat, është fshehur prej muajsh. Akuzat për lotarinë kombëtare dhe nivelin e lartë të borxhit, mbi kufirin ligjor e kanë detyruar Boden të mos bëjë më dalje të shpeshta në publik.
Eduart Halimi
Ministri i Drejtësisë është një tjetër ministër i cili është lënë në hije nga Berisha, duke i nxjerrë publikisht numrin dy të dikasterit Brikena Kasmi. Halimi u dogj krejtësisht si zë i besueshëm në publik pasi pranoi të drejtonte një komision të çuditshëm që kërkoi të gjente çadra pistoletë dhe thika me helm, në demonstratën e 21 janarit.
Edmond Haxhinasto
Ministri i Ekonomisë është anëtar i LSI. Berisha nxjerr në publik numrin dy të ministrisë, Eno Bozdo. Haxhinasto në fakt në shumicën e rasteve i merr direktivat nga Meta, duke anashkaluar kryeministrin.
Sokol Olldashi
Ministri i Transporteve është një tjetër anëtar kabineti i cili nëse do të provoheshin akuzat që ka në supe do të ishte me kohë pas hekurave. Ai është i akuzuar kryesisht për tenderat e rrugëve.