(Dhe diçka për vetë-denigrimin dhe servilizimin e çuditshëm të disa shqiptarëve)
NGA KRISTO ZHARKALLIU – Shqiptarët, ose disa prej tyre, janë njerëz të çuditshëm. Harrojnë shpejt (kur u leverdis) dhe kujtojnë vazhdimisht ato që në raste të tjera duhen harruar, si bëjnë popujt e tjerë. P.sh. në Greqi (këtë e njohim mirë) kujtojnë vazhdimisht heroizma, ngjarje madhështore, kulturën e tyre dhe të gjitha këto shumë herë të zmadhuara, madje ndoshta është vendi i vetëm në botë që kurrë nuk ka humbur ndonjë luftë (kur është pushtuar nga të tjerët kurrsesi nuk e kanë pasur fajin grekët por të huajt e pabesë!) Me fjalë të tjera janë të aftë që edhe disfatat historike t’i festojnë si fitore heroike dhe nga ana tjetër kanë aftësi mahnitëse të adoptojnë si ndikues dhe kontribues i tyre në ngjarjet historike të popujve të tjerë, t’i konsiderojnë të tyret dhe shumë rrallë mund të pranojnë se edhe popujt e tjerë, si është Shqipëria fjala bie, kanë dhënë ndonjë kontribut në historinë e kulturën europiane. Të gjitha këto janë pak të çuditshme për një vend që ka vërtet kaq shumë gjëra të krenohet nga lashtësia dhe historia bashkëkohore… por grekët e sotëm i duan të gjitha të tyre.
Këto nuk i themi për keq, përkundrazi: Aftësia e një populli që të krenohet për historinë e tij, akoma dhe pak e zmadhuar, është për t’u admiruar dhe kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë që bëjnë shumë shqiptarë për të kaluarën dhe të tashmen të tyre. Vitet e fundit shqiptarët – ata që shkruajnë dhe quhen analistë ose opinionistë – përpiqen të nxijnë çdo gjë, jo vetëm të jetesës së tyre, por edhe të kaluarën. Ke përshtypje se kanë turp se janë shqiptarë, ndiejnë kënaqësi të bërtasin sa injorantë, sa kusarë dhe sa kriminelë na qënkan shqiptarët dhe kur kënaqin zemërimin e tyre me të sotmen, kanë boll bojë të zezë për regjimin komunist, dhe kur u tepron boja i hedhin një shqelm edhe regjimit të Zogut… Por nuk janë ngopur vetëm me kaq të këqija: vitet e fundit, sidomos në Kosovë por edhe në Shqipëri, na janë shfaqur disa admirues të sundimit pesëshekullor të turqve të cilët i janë sulur dhe figurës më të shquar, më heroike të historisë së Arbërit, por edhe të Europës: Gjergj Kastriotit … Dhe nuk skuqen nga turpi kur lavdërojnë perandorinë otomane që la popullin shqiptar në errësirën shekullore.
Kohët e fundit janë shfaqur disa “rrëmues të arkivave” pesëdhjetë vjeçare me qëllim që të denigrojnë çdo figurë që ka lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Kështu nuk lanë pa “njollosur” dhe figurën madhështore të Rexhep Qosjes! Ç’kishte thënë Androkli Kostallari për Rexhepin kur ky kishte vizituar vendin amë? Kishte lavdëruar socializmin dhe regjimin komunist… Kjo është për të vënë kujën. Kjo mund të quhet akuzë? Këtij kalemxhiut të sotëm që ka zbuluar “arkivat e tmerrshme” me të cilat akuzohet korifeu Rexhep Qosja, do t’i vinte mirë dhe ndoshta do ta paraqiste shkrimtarin kosovar si “disident” sikur të kishte lavdëruar Titon… Këtë nuk bëjnë dhe kosovarët që i kundërvihen Qosjes? Shajnë dhe akuzojnë diktatorin Hoxha, por nuk kanë asnjë fjalë të keqe për “kryetarin Tito” të cilin e kujtojnë me… nostalgji.
Por sot do të flasim për shkrimtarin “e madh grek” Vasilis Vasilikos. Më kujtohet se si para disa viteve shkrimtari e gazetari emigrant Robert Goro sa here lexonte në shtypin botëror fjalë të lavdëruese për ndonjë shkrimtar shqiptar, kryesisht për Ismail Kadarenë, thoshte me ironi: “Mos e lexojë këtë Vasilis Vasilikos, se do të na zëmërohet! Ai nuk duron që diçka të mirë të ketë edhe Shqipëria.”. Roberti kishte arsye të shëndosha që i thoshte këto sepse e kishte njohur Vasilikonë dhe dinte mirë ndjenjat e tij ndaj shqiptarëve, pas viteve 90 dhe sidomos gjatë luftës në Kosovë. Ai, Vasilikoi, nga ateist dhe komunist që ishte deklaruar më parë, kaloi në ortodoksizëm dhe mbronte me zjarr “vëllezërit sërbë që luftonin kundër terroristëve dhe trafikantëve turkallvanitë islamistë të ish Jugosllavisë!” E shikonim përditë të bënte deklarata të tilla por kulmi ishte kur dikush e kishte pyetur në se konsiderohej “shkrimtar i madh shqiptari Ismail Kadare”, të cilin disa vite më parë krenohej e mburrej se ishte miku i tij. Ja përgjigja që dha “miku i shqiptarëve”: “Ismail Kadare nuk është aspak shkrimtar i mirë. Ai u bë i njohur sepse thjesht ishte shqiptar. Bota e kulturaur dhe sidomos Europa u befasuan se edhe një shqiptar mund të shkruante libra. Kjo pra e bëri të njohur madje dhe lexuesit nga kureshtja e lexojnë, duke menduar se ç’mund të shkruajë një shqiptar… Kjo i dha famë dhe jo se shkruan libra të mirë…”.
Ky ka qenë pra Vasilis Vasilikos i cili u prit në Tiranë nga “inteligjenca” shqiptare me kaq bujë madje u shpreh dhe keqardhja pse libri i tij “Z” u vonua të botohej në Shqipëri! Ai që e kishte intervistuar shkrimtarin grek dallohej për dy gjëra: Për servilizëm të pështirë dhe për mosnjohje të vërtetën e librit “Z”. Dihet se ky libër u shkrua për shkak të vrasjes kriminale të mjekut dhe aktivistit për paqe Grigoris Llambraqis nga një bandë fashistësh që mbizotëronte aso kohe në Greqi. Llambraqis u vra në Selanik në vitin 1963 dhe shkrimtari i ri dhe i panjohur Vasilikosi, shfrytëzoi me zgjuarësi këtë ngjarje duke shkruar pra librin “Z” (që s’ka të bëjë me emrin e viktimës por me lëvizjen e madhe popullore që mori emrin “Llambraqi” ku demonstruesit e rinj shkruanin në të gjithë muret shkronjë “Z” ose “ZI” që don të thotë se “Rron” në zemrat tona!) Ngjarjet e mëvonshme, sidomos vendosja e diktaturës fashiste në Greqi më 1967, e bënë që edhe libri i tij të konsiderohet mjet rezistencë dhe regjizori i njohur Kostas Gavras që banonte në Paris, me ndihmën e antifashistëve francezë xhiroi filmin e famshëm “Z” duke u bazuar në librin në fjalë, gjë që bëri të “famshëm” Vasilikosin, i cili aso kohe banonte si “emigrant politik” në Francë. Atje ishte njohur dhe me Kadarenë i cili në kohën e diktaturës shkonte e vinte në Paris. Atëhere Vasilikoi krenohej për “miqësinë” që kishte me shkrimtarin shqiptar ndonse gjuhët e këqija thoshin se ai ishte ngjitur pas të famshëmve dhe i pëlqente se ishin shkrimtarë të vendeve… socialiste. Sidoqoftë ajo që thotë se i kishte shkruar Kadaresë pas shembjes së diktaturës më 20 korrik 1977 (!!!) ndoshta ai ka parasysh shëmbjen e diktaturës fashiste në Greqi dhe jo të diktaturës komuniste në Shqipëri (që, siç dihet, u shëmb shumë më vonë), si dëshiron të na e paraqesë, qëllimshëm ose gabimisht, shkruesi i intervistës. Nga ana tjetër e gjithë krijimtaria letrare e njohur e Vasilikoit (ai ka shkruar shumë libra) ka ngelur rreth librit “Z” se të tjerat kanë mbetur të panjohura në publikun e gjërë, akoma dhe tek ai grek. Por, falë “Z” i cili u vlerësua më shumë për përmbajtjen dhe qëndrimin denoncues politik se sa për vlerat letrare, ai përfitoi njohjen e …përjetshme dhe nga hera ka pasur ndonjë funksion shtetëror me pagë të majme, akoma dhe në atë zyrë ku ishte emëruar dhe na thotë se paska takuar kryeministrin e sotëm shqiptar Edi Ramën. (Paraqitësi i tij anonim brengoset se si kryeministri shqiptar nuk shkoi në shtëpinë e botimit që të mirrte dhe ai një libër me kushtim nga dora e shkrimtarit! Merreni me mend sikur të vinte Kadareja – ai Kadare që u nderua e dekorua nga Presidenti francez – të paraqiste një libër të tij në Athinë dhe të shkonte kryeministri grek në këtë ceremoni…Pikaaa!) Pse o zot i plotfuqishëm kaq servilizëm?
Lexuesi shqiptar nuk ka pësuar dëm të madh se po njeh me vonesë librin e Vasilikoit që, tekefundit i ka kaluar koha. Edhe ne që i njohëm në lëkurën tonë ato ngjarje tragjike të jetës helene, nuk na bën më përshtypje. Sigurisht vizita e shkrimtarit grek në Tiranë ku, për habi të tij, na paska një muze që i ngjaka atij të Athinës dhe fjalët e tij lavdëruese për shqiptarët (pa ndihmën e tyre nuk do të kishim fituar në Revolucionin e 1821 kundër turqve) bien ndesh me ato që thoshte vetëm disa vite më parë kur kishte zbuluar besimin e tij ortodoks-bizantin dhe vëllazërimin e gjakut me serbët…
Por më mirë vonë se kurrë. Këtu patjetër kemi përfituar se edhe ai, dashje pa dashje, ka filluar të hapë sytë dhe të pohojë një të vërtetë të padiskutueshme. Ka të ngjarë në këtë moshë, kur po i afrohet krijuesit të tij, si ortodoks i mirë që është, po rrëfehet dhe kërkon të falur nga perëndia e shqiptarëve dhe le të mos jetë ky… i krishterë ose ortodoks! Por, që të mbarojmë do të shtoj dhe këtë: Ne nuk kemi asgjë kundër Vasilikoit, ai i ka shërbyer dhe i shërben më së miri vendit të tij dhe ajo që na brengos është servilizmi dhe marrëzitë që shkruhen në gazetat shqiptare duke mos njohur realitetin e një vendi kaq të afërt ku kanë jetuar afro gjysma e popullsisë shqiptare vitet e fundit.
Nese me te drejte i kritikon ata qe kane filluar te admirojne pushtuesit 5oo vjecar, pa te drejte i del ne mbrojtje “korifeut” Rexhep. Edhe R. Qosja eshte nje nder ata admirues te roberuesve turq. Vet fakti qe ai takon dhe lavderon percaresin me te madh shqiptar, hoxhe Shefqet Krasniqin tregon se Qosja eshte nje adhurues i roberuesve turq. Pra Ju z. Zharkalliu mos perdorni standarde te dyfishta. Nese kritikoni admiruesit e pushtuesve 500 vjecar, te njejten gje beni edhe me Qosen sepse edhe ai eshte i tille.
Nje shkrim realist,qe me ben te kujtoj Shekspirin tek Jul Qezari:-Edhe baben po tu kishte vrare Qezari,ashtu do te thoshin.
Nje shkrim realist qe i ben nder autorit dhe na skuq neve qe kaq majmune tregohemi ndaj kujtdo qe na ka perbuzur
K.Zharkalliu, eshte nje intelektual hulumtues me elemente vecantesie dhe kerkimi. Plotesohemi me artikuj te natyrave te tilla. Urime ! Fal. Ilir per servirjen !